Topi emëron tre anëtarë të Gjykatës së Lartë
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka dekretuar dje emërimin e tre gjyqtarëve, anëtarë në Gjykatën e Lartë. Sipas zyrës së shtypit të Presidentit, dekretet janë firmosur në mbështetje të nenit 136, pika 1, të Kushtetutës. Si anëtarë të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi ka dekretuar gjyqtarët: Artan Zeneli, Zamir Poda dhe Kristaq Traja. Ka disa muaj që Gjykata e Lartë i mbante këto vende vakante. Ndaj deputetët e opozitës nëpërmjet mediave, i kanë kujtuar vazhdimisht Presidentit Topi që të dekretojë sa më shpejt emrat e rinj për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Emërimet e tyre, sipas opozitës, duhet të ishin jashtë politikës. Në fakt, tre anëtarët e rinj të trupës më të lartë të gjyqësorit, janë juristë me integritet moral dhe profesional, si dhe të njohur për përvojën e gjatë dhe pozitive si në organet e gjyqësorit, por edhe në institucione të rëndësishme ndërkombëtare.