E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi: E majta duhet të bashkohet para zgjedhjeve

Kreu socialdemokrat Skënder Gjinushi deklarohet për një bashkim real parazgjedhor të së majtës. Ai sqaroi se qëndrimi për referendumin e Kushtetutës është parimor dhe nuk ka të bëjë nëse e mbështet njëra apo tjetra parti, por kjo është një linjë konstante e PSD-së. "Kështu dëshirojmë që të mos bëhet asnjë koment i pavërtetë në lidhje me qëndrimin e PSD-së, ku ne kemi qenë shumë të qartë nga ‘94 në ‘98-n dhe jemi po aq të qartë edhe në 2008-n", theksoi Gjinushi. Ai tha se kjo nuk ka të bëjë me preferencat e PSD-së për njërën apo tjetrën parti, ka të bëjë vetëm me një qëndrim parimor dhe në një vend demokratik nuk pyetet a je apo jo për referendum. "Në demokraci pyetet se çfarë qëndrimi do të mbash kur hidhet çështja në referendum, nëse je pro apo kundër çështjes së hedhur në referendum", tha Gjinushi. Kreu socialdemokrat komentoi edhe protestën e organizuar nga LSI-ja, duke nënvizuar se "për sa i takon formave, se si një parti shpreh miratimin, apo mosmiratimin e vet për një veprim të caktuar, siç janë ndryshimet në Kushtetutë është e drejtë e saj". PSD-ja nuk ishte pjesë e kësaj proteste, pasi ajo sipas Gjinushit ka format e veta për të shprehur pajtimin, apo mospajtimin për ndryshimet kushtetuese. "Kërkesat legjitimohen në Gjykatën Kushtetuese, është vetëm Gjykata Kushtetuese që shprehet për legjitimitetin ose jo të një kërkese, përsëri nuk i takon politikës të merret, politika ka vetëm një gjë - je dakord apo jo me çështjen e hedhur në referendum", theksoi Gjinushi. Duke ju referuar së majtës, ai mendon se ajo ka nevojë për një bashkim real dhe PSD-ja, edhe njëherë thekson që është forca e vetme që ka qenë tepër konsekuente si faktor bashkimi të së majtës. "Nëse të tjerët bashkimin e kanë parë sipas konjukturave, PSD-ja e ka parë në interes të fitores të së majtës dhe jo thjesht në interes të PSD-së", u shpreh ai. Gjinushi garantoi për dëshirën e tij që e majta të triumfojë, pra për një bashkim real parazgjedhor, një bashkim në favor edhe të partive përkatëse, por edhe në favor të alternativës më të mirë dhe jo bashkime konjukturale; jo përdorim i çdo momenti apo çdo shkaku për t‘u ndarë. Socialdemokratët nënvizojnë se nuk pajtohen me faktin që kur është puna për t‘u përplasur të majtët janë gati për 24 orë. "Dhe kur është puna për t‘u bashkuar nuk na mjafton as një vit reflektim", tha ai. Ai shtoi se duhet kuptuar mirë deri në fund se kush është në funksion të fitores të së majtës dhe elektorati i majtë duhet ta kuptojë që faktori kryesor i bashkimit dhe më i sinqerti është PSD-ja. Qëndrimi i Gjinushit vjen në një moment kur u vunë re përplasje mes tij dhe kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Objekt për këtë ishte mitingu i mbajtur së fundmi në sheshin "Skënderbej" me qëllim mbrojtjen e Kushtetutës. Lideri socialdemokrat nuk ishte i pranishëm në këtë miting, ndërsa ka garantuar angazhimin e tij në Komitetin për Mbrojtjen e Kushtetutës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›