E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Referendumi, luftë antikorrupsion

Realizimi i referendumit për Kushtetutën do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit. Ky ishte qëndrimi i djeshëm i kreut të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta. Sipas tij, shfuqizimi i neneve 104 dhe 105, si dhe i zgjedhjes së Presidentit me një shumicë të thjeshtë, do të ndihmojnë për rritjen e kontrollit të Kuvendit ndaj qeverisë. "Do të ndihmojë në luftën kundër korrupsionit dhe abuzimit të çdo qeverie dhe Kryeministri", u shpreh Meta. Aq më tepër, shtoi ai, duke pasur në konsideratë atë që është Kryeministër sot dhe skandalet korruptive të cilat nuk mbarojnë. "Kushtetuta e vitit 1998 ka qenë reforma më e rëndësishme, më e madhe dhe më solide që është zhvilluar ndonjëherë në vendin tonë gjatë 18 viteve të pluralizmit politik", konstatoi Meta. Dhe, sipas tij, ajo që ka ndodhur më 21 prill është antireforma më e madhe që ka ndodhur në vend. Meta shprehu bindjen se procesi i referendumit do t‘i shërbejë mbrojtjes së aspiratës evropiane të vendit tonë dhe të të gjithë shqiptarëve. "Për arsye sepse do të rikthejë ndarjen e pushteteve, një parim i sanksionuar qartë në Kushtetutë dhe i cenuar nga ndryshimet e ndodhura në nenet 104 e 105 dhe te neni për zgjedhjen e Presidentit", vijoi ai. Realizimi i kësaj nisme, shtoi Meta, do të ndihmojë në rikthimin e pavarësisë së gjyqësorit, i cili është cenuar në mënyrë të paprecedentë me ndryshimet e fundit kushtetuese. Ashtu sikurse do të ndihmojë në një republikë shumë më të vendosur për të respektuar votën e qytetarëve shqiptarë dhe për t‘i pasur pushtetet dhe institucionet në këtë vend nën kontrollin e qytetarëve. "Kështu që ky është një proces, i cili jo vetëm që nuk e dëmton procesin e integrimit evropian të vendit, por përkundrazi e mbron dhe e forcon aspiratën evropiane të të gjithë qytetarëve shqiptarë", u shpreh kreu i LSI-së. Në këndvështrimin e Metës, referendumi është një proces, i cili përveç aspekteve teknike që do të bëhen të ditura në kohën e duhur, do të shoqërohet nga një fushatë informuese dhe sensibilizuese, e cila do të fillojë këto dy ditë në qytetin e Elbasanit, për të vazhduar më tej në Vlorë dhe në të gjithë Shqipërinë. "Njëkohësisht do të shpërndahet për të gjithë qytetarët e Republikës së Shqipërisë, brenda dhe jashtë vendit, një broshurë e cila do të sqarojë të gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në Kushtetutën e vendit në natën e 21 prillit", premtoi Meta. Ish-kryeministri tha se në këto fletëpalosje do të renditen edhe pasojat që vijnë nga këto ndryshime që kanë ndodhur në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar të sanksionuar në referendumin e vitit 1998. Lëvizja Socialiste për Integrim sqaron se Komiteti i Mbrojtjes së Kushtetutës po përgatit procedurat e realizimit të referendumit. Normalisht do të duhet që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të shpërndajë formularin tip, i cili do të plotësohet nga qytetarët. Pas shumëfishimit të tij, LSI-ja do fillojë fazën e marrjen së firmave në popull. Pasi realizohet kjo etapë i takon Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të bëjë një verifikim të këtyre firmave. Pak ditë më parë, drejtuesit e Partisë Socialiste deklaruan se nuk ka bazë ligjore për mbajtjen e referendumit. Kjo pasi sipas selisë rozë është konsumuar koha kur mund të mblidheshin firmat e 28 deputetëve të Kuvendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›