Berisha mbledh prefektët, prezanton skemën e re të ndarjes së buxhetit
Në takimin e përvitshëm me prefektët dhe nënprefektët e 12 qarqeve të vendit, kryeministri Sali Berisha prezantoi dje skemën e re të ndarjes së buxhetit për bashkitë dhe komunat, ndërsa bëri thirrje për mbrojtjen e mjedisit, si dhe hartimin e planit të investimeve. Sipas Berishës, skema e re e ndarjes së buxhetit parashikon adresimin e fondeve në drejtim të qarqeve dhe prefekturave dhe më pas janë ato që i alokojnë këto fonde në drejtim të bashkive dhe komunave që kanë nevojë për investime. Kreu i qeverisë theksoi se buxheti do të ndahet në mënyrë apolitike, duke i trajtuar në të njëjtën mënyrë bashkitë e majta dhe të djathta qofshin. Sipas tij, i gjithë vendi duhet të ndiejë ndryshimin dhe zhvillimin ekonomik. Më tej, kreu i qeverisë u kërkoi prefektëve dhe nënprefektëve që të hartojnë brenda dy javëve inventarin e investimeve, duke i dhënë përparësi turizmit dhe infrastrukturës. Ai bëri thirrje që të merren masa për mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se çdo krim ndaj mjedisit do të marrë ndëshkimin e merituar ligjor.
Fondet
“Fondet do të kenë këtë përparësi për vitin që vjen, nuk mund t’i lëmë disa të bekuar dhe disa të mallkuar. Nuk mund ta bëjmë këtë. Do të bëjmë që ta ndiejnë të gjithë zhvillimin e vendit të tyre. Unë lëviz shumë në vend dhe di që ka ende komuna që nuk lidhen me rrugë të asfaltuara me aksin kombëtar, prandaj dhe ju do të bëni takimin në nivel qarku me kryetarët e bashkive dhe të komunave, dhe kjo do të jetë përparësia e parë”, - është shprehur kryeministri, ndërsa ka theksuar se ndarja e fondeve nuk do të ketë ngjyrim politik. “Buxheti do të ketë organizim tjetër. Më paratë e tyre ne nuk kemi asgjë, përkundrazi, qeveritë vendore, të majta dhe të djathta, të çfarëdo ngjyre, kanë tagrin t’i administrojnë sipas të gjitha projekteve që ata mendojnë. Me grantin e qeverisë jemi të detyruar të ndjekim problemet më jetike të qytetarëve. Theksova se në fonde këtë vit do të përfshihen për herë të parë skema që qeveritë vendore do të aplikojmë edhe për projektet e tyre për zhvillimin e zonave të tyre arkeologjike, historike etj. Ne do të adresojmë fonde në drejtim të qarqeve dhe prefekturave tuaja vetëm për zhvillimin e kapaciteteve, por ato mund t’i zhvilloni ju; qarqet, bashkitë, komunat. Qeveria qendrore nuk mund të marrë rolet tuaja”, - është shprehur Berisha.
Inventari
Gjatë fjalës së tij drejtuar prefektëve dhe nënprefektëve, Berisha, ndër të tjera, u kërkoi atyre që të hartojnë brenda dy javëve inventarin e investimeve të bëra në bashkitë dhe komunat e tyre. “Unë kërkoj nga ju që brenda dy javëve të keni sjellë inventarin e plotë të të gjitha investimeve të bëra në prefekturën tuaj, në rrugë kombëtare dhe jokombëtare, rurale dhe dytësore, ku do të jenë të përcaktuara kilometrat, fondi, koha e ndërtimit, koha e fillimit, koha e mbarimit, të gjitha detajet. Po kështu për kanalizimet, për ujësjellësit, për shkollat dhe qendrat shëndetësore. Në këtë inventar ne nxjerrim për të parë perspektivën çfarë ka mbetur. Të mos harrojmë se në vitin 2005, një numër i madh i rretheve të këtij vendi në tërësi të zonës verilindore dhe juglindore, nuk kanë pasur qoftë dhe një kilometër rrugë të asfaltuar, përveç aksit kombëtar”, - është shprehur Berisha. Me tej ai kërkoi që të evidentohen të gjitha qendrat, komunat, të cilat nuk kanë lidhje akoma me rrugë të asfaltuar me aksin kombëtar. “Përfundimi i rrugëve që zbresin drejt detit, pas përfundimit të tyre, do të zëvendësohet me përfundimin e lidhjeve me rrugë të asfaltuara të të gjitha komunave të vendit me akset kombëtare rrugore; kjo do të jetë përparësia. Ne përpiqemi të bëjmë një shpërndarje sa më të arsyeshme të fondeve, por absolute do të jetë që çdo qendër komune do të lidhet me aksin kombëtar”, - është shprehur Berisha.
Mjedisi
Një tjetër çështje e rëndësishme në fjalën e kreut të qeverisë ishte mbrojtja e mjedisit. Berisha tha se prefektët duhet të jenë në lartësinë e duhur dhe të marrin masat për mbrojtjen e mjedisit dhe për ndëshkimin e çdo krimi. “Një çështje tjetër shumë të rëndësishme që unë dua të sjell në vëmendjen tuaj: qëndrimin tuaj ndaj mjedisit. Çdo krim ndaj mjedisit është krim i patolerueshëm dhe duhet të marrë ndëshkimin e merituar ligjor. Zotërinj prefektë, ky vend është në zhvillim të shpejtë. Ky vend do të zhvillohet, por asgjë nuk ka më jetike për një zhvillim të qëndrueshëm të tij, sesa mbrojtja dhe zhvillimi i mjedisit. Duhet ta keni një përparësi madhore këtë dhe nuk e keni deri tani, nuk e keni bërë. Duhet ta keni një përparësi madhore sepse ne, duke ardhur nga një varfëri ekstreme, të gjithë jemi dëshmitarë të saj, nuk kemi trashëguar vetëdijen e thellë për mbrojtjen dhe zhvillimin e mjedisit. Mjedisi është jeta dhe pas falimentimit të rrangallave të socializmit, industrive ndotëse dhe superndotëse, Shqipëria ka shanset të zhvillohet si një nga vendet me mjedis më të mirë, më të ruajtur”, - është shprehur Berisha. Më tej ai vlerësoi bumin turistik të këtij viti, ndërsa bëri të ditur se krahasuar me vitin 2004, numri i turistëve është rritur 12 herë. Berisha kërkoi që prefektët të vendosin një partneritet të ngushtë me autoritetet vendore, me të cilat duhet të kenë një dialog konstant, si dhe me ministritë e linjës.
1 Shtator 2010