Çmimet e konsumit njohin vetëm rritje, BSH nuk pasqyron realitetin
Ndryshe nga sa pritej, edhe deklarata e djeshme e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë nuk e paraqiti situatën e shtrenjtimit të çmimeve, si alarmante. Madje, Guvernatori Fullani në daljen e radhës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të BSH-së, u përpoq të garantonte qytetarët jo vetëm për stabilitet të çmimeve në vend, por edhe për mallra konsumi më të lira gjatë periudhës në vijim. Guvernatori Fullani, tha se këtë vit inflacioni pritet të luhatet rreth nivelit 3 për qind nga 3.4 për qind që është aktualisht. Sipas Fullanit, zhvlerësimi i lekut dhe rritja e çmimeve në tregjet botërore, faktorë që kanë ndikuar në inflacion, janë kalimtarë dhe nuk do të japin efekt gjatë muajve të ardhshëm. “Këto faktorë të ofertës pritet të kenë ndikim kalimtar në ecurinë e inflacionit duke mos u përkthyer në presione të qëndrueshme inflacioniste. Projeksionet e BSH-së e vendosin normën vjetore të inflacionit pranë objektivit 3 për qind për periudhën afatmesme”,- deklaroi Guvernatori Fullani. Edhe pse në tregjet ndërkombëtare është konstatuar rritje çmimi për disa produkte, siç është gruri, për BSH-në kjo situate nuk pritet të ndikojë ndjeshëm në inflacionin në vend. Kreu i BSH-së ka deklaruar gjithashtu se ecuria e aktivitetit ekonomik të vendit është pozitive, edhe pse me ritme të ngadalta. Bazuar në këto kushte, Këshilli Mbikëqyrës i BSH-së vendosi të mbajë të pandryshuar me 5 për qind normën bazë të interesit për lekun.
Kreditimi
Frenimi i kredidhënies nga bankat e nivelit te dyte, jo vetëm qe ka frenuar ritmet e rritjes se ekonomisë ne tërësi, por ka vene ne vështirësi edhe ekonomitë familjare. Këtë problem e shprehu edhe Guvernatori Fullani, i cili përmendi se si kredia konsumatore edhe ajo hipotekare vijon të jenë në nivele të ulëta. “Mundësia e familjeve për të financuar konsumin e tyre nëpërmjet financimeve bankare paraqitet problematike, për sa kohë që aksesimi i tyre në kredinë konsumatore dhe hipotekore paraqitet në rënie”,- tha Fullani. Duke bërë një panorame të ekonomisë në 6-mujorin e parë të këtij viti, Fullani tha se investimet publike kanë vijuar të ngadalësohen.
Deficitit buxhetor
Guvernatori Fullani, kërkoi marrjen e masave për të mos lejuar rritjen e deficit buxhetor duke e vlerësuar si të një rëndësie të veçantë. "Duhet bërë kujdes nga ana e BSH-së në ndjekjen ditore të shpenzimeve në mënyrë që të sigurohet efektiviteti i masës së marrë për uljen e deficitit buxhetor. Kemi besim se me administrim të kujdesshëm, që është vërtetuar, janë mundësitë për të qenë brenda limiteve të përcaktuara të deficitit buxhetor. Duhet respektuar deficiti në mënyrë që mos lejohet rritja e tij",- theksoi guvernatori. Sipas tij, është rikthyer rritja e investimeve publike, por rritja e investimeve është e ulët. Ai nënvizoi se ka pasur edhe rritje të të ardhurave buxhetore, të cilat u rritën me 3.4%. Sipas tij, ekonomia shqiptare ka pasur rritje graduale. Po ashtu është shënuar rritje e importit të mallrave dhe bilance të shëndosha të familjeve shqiptare. Ai nënvizoi se konsumi privat ka dhënë kontribut pozitiv në 3-mujorin e dytë dhe këtë e tregon rritja e të ardhurave tatimore, rritja e importit të mallrave të konsumit dhe përmirësimi i treguesve të besimit të konsumatorit. Sipas tij, respektimi i nivelit të borxhit publik do ndihmojë në ruajtjen e objektivave ekonomikë.
Akcizat rrisin çmimet e produkteve ushqimore
Konsumatorët shqiptarë po përballen me rritje të çmimeve të artikujve që si ambalazh përdorin objekte plastmasi e qelqi. Kjo pasi më vendimin e qeverisë për përfshirjen në kategorinë e akcizave edhe të plastmasit dhe qelqit, çmimi i qumështit, ujit, vajit dhe shumë produkteve të tjera është rritur menjëherë me të paktën 10 lekë për litër, kosto këto që prodhuesit dhe tregtarët ua kanë faturuar qytetarëve. Rritja e çmimeve të këtyre produkteve është goditje për konsumatorët, të cilët pjesën dërrmuese të buxhetit të tyre e përdorin për tu ushqyer. Kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve, Islam Cani, e konsideron të gabuar politikën e rritjes së akcizave për plastmasin, në një kohë që sipas tij në gjithë botën kjo lëndë po përdoret gjithnjë e më pak për ambalazhim. “Rritja e akcizave është e dëmshme për konsumatorin, se është ai që e pëson. Kur luftohet që konsumatorit ti plotësojmë dëshirat dhe ta kënaqim ne po e çorodisim atë duke i dhënë çmime më të larta”,- shprehet kryetari i Shoqatës së Konsumatorëve.
1 Shtator 2010