Sa kushton jetesa e studentëve në banesa me qira
Fillimi i vitit të ri akademik 2010-2011 ka rritur numrin e kërkesave për shtëpi me qira nga ana e studentëve. Të rinjtë që vijnë nga rrethet për të studiuar në kryeqytet preferojnë të jetojnë në banesa me qira, ndërsa të tjerë vendosin të jetojnë në konvikt. Shumë prej studentëve sidomos djemtë kërkojnë një jetesë më të qetë dhe me kushte me të përshtatshme sesa ofrojnë godinat e banimit të Ndërmarrjeve Studentore. Edhe pse tarifa vjetore e qëndrimit në Qytetin Studenti është 35 mijë lekë në vit, e cila mund të përkthehet sa 1 apo 2 qira mujore të një banese në Tiranë, jo pak studentët preferojnë të jetojnë në shtëpi. Qiratë e banesave në zona të ndryshme të Tiranës variojnë nga 15 mijë lekë në 35 mijë lekë dhe studentët kryesisht preferojnë ato me kosto më të lirë.
Zonat
Zonat më të preferuara nga studentët janë ato që janë më pak të kushtueshme për xhepin e këtyre të rinjve. Të rinjtë preferojnë të akomodohen në zonat e periferisë ku qiraja e banimit është më e ulët se në pjesën qendrore të kryeqytetit. Përgjithësisht studentët zgjedhin të akomodohen në shtëpi që nuk kushtojnë shtrenjtë, ku qiraja e kërkuar shkon nga 15 deri në 25 mijë lekë. Ndër zonat më të kërkuara për tu banuar nga studentët është zona e Qytetit Studenti, dhe përgjithësisht pjesa përreth godinave ku tarifat janë të lira. Për këtë shkak por edhe për mobilimin që shpesh herë ofrohet në këto banesa, kjo zonë preferohet nga studentët. Një tjetër zonë e kërkuar nga të rinjtë e ardhur nga rrethet është ajo e 21 dhjetorit, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Akademisë së Sporteve. Studentët tregojnë se kanë mundur të sigurojnë një banesë, ku jetojnë dy apo më shumë persona dhe ndajnë midis tyre tarifën e pagesës. Dy motra Alba dhe Jona, studente në degë të ndryshme kanë preferuar të jetojnë, jo në mjediset e godinave të konvikteve të 21 Dhjetorit, por në shtëpi me qira. Vajzat tregojnë se paguajnë 20 mijë lekë në muaj për këtë banesë por ajo që e justifikon këtë zgjedhje është fakti se zona e banimit është e favorshme, fakultetet ndodhen afër po kështu dhe vendet ku ato janë punësuar gjatë verës. Rruga e Elbasanit është një tjetër zonë banimi e preferuar nga studentët, sidomos atyre të fakulteteve të Gjuhëve të Huaja, Histori-Filologjisë dhe Ekonomikut. Këtu banesat kushtojnë më shumë ato shkojnë nga 20 mijë deri në 30 mijë lekë në muaj, kështu që studentët detyrohen ta ndajnë mes tyre qiranë. Të rinjtë zgjedhin të ndajnë një banesë por edhe qiranë në 3 apo katër pjesë.
Kërkesat
Kërkesat për banesa me qira janë në rritje në këtë periudhë të vitit. Kjo është periudha kur fillon viti i ri akademik dhe në kryeqytet vijnë studentët nga rrethet që kanë fituar të drejtën e studimit në universitetet e kryeqytetit. Ardhja e studentëve rrit kërkesën për banesa dhe si pasojë rritet edhe çmimi i qirave të kërkuara. Studentët zgjedhin të jetojnë në shtëpi me qira ne rastet kur e përballojnë jetesën dhe pagesën e qirave. Pjesa më e madhe preferojnë banesat me qira pasi kërkojnë kushte më të mira sesa ato që ofrohen nga jetesa në ambiente të përbashkëta studentore. Ndër zonat më të kërkuara, të cilat vlerësohen dhe si zona që kanë një çmim të arsyeshëm, janë “21 Dhjetori”, zona afër Qytetit Studenti dhe përgjithësisht zonat afër fakulteteve publike dhe private njëkohësisht. Në këto zona studentët preferojnë të jetojnë në periudha të shkurtra dhe shpesh herë 9 muaj aq sa zgjat dhe viti akademik. Më pas një pjesë e mirë ë tyre kthehen pranë familjeve dhe vetëm ata që janë punësuar vazhdojnë të mbajnë kontratën e banesës më gjatë.
Cilat janë zonat ku qiraja e banesave është më e ulët
Zonat me periferike të kryeqytetit ofrojnë tarifa të lira akomodimi për personat e interesuar e sidomos studentët. Shumë prej të rinjve që vijnë në Tiranë për të studiuar në shkollat e larta interesohen, së pari për të gjetur një banesë jo shumë të kushtueshme për të jetuar. Zonat ku studentët por edhe familjarët mund të gjejnë banesa që kushtojnë pak janë këto; zona e Kombinatit, Misto Mames, Yzberishit, Unazës së Re, Laprakës, Porcelanit dhe Kinostudios. Qiratë e banesave në këto zona shkojnë nga 15 deri në 20 mijë lekë për muaj. Pjesa më e madhe e studentëve zgjedh të jetojë në një banesë me qira në grup të përbërë nga tre apo katër persona. Kjo varet edhe nga hapësira dhe dhomat që ka banesa me qëllim që bashkëjetesa në këtë ambient të mos bëhet e vështirë. Fakultetet dhe qendrat e punësimit ndodhen shpesh herë larg këtyre zonave të banimit dhe kryesisht në zonat qendrore të kryeqytetit e megjithatë studentët gjejnë si zgjidhje akomodimin në këto banesa për shkak të tarifës së leverdishme që ofrojnë. Edhe zona e qytetit Studenti, sidomos pjesa përqark godinave ofron tarifa të lira akomodimi dhe preferohet shumë nga studentët. Shumë prej studentëve sidomos djemtë kërkojnë një jetesë më të qetë dhe me kushte me të përshtatshme
Studentët preferojnë banesat e mobiluara
Studentët preferojnë të marrin me qira banesa të lira por edhe të mobiluara. Në pjesën dërmuese të rasteve të rinjtë zgjedhin banesat me akomodim duke u lehtësuar në një farë mënyre nga barra e të mbarturit të mobilieve me vete. Studentët tregojnë se shpesh enden në kërkim të banesave me akomodim pasi nuk u intereson të marrin me qira shtëpi të pamobiluara. Në përfundim të shkollës ata tentojnë të kthehen pranë familjeve të tyre, prandaj blerja e mobilieve të shtëpisë nuk është një zgjidhje që preferohet nga studentët. Shpesh herë ata zgjedhin të jetojnë larg qendrës në banesa me akomodim dhe me çmim më të lirë sesa zonat pranë qendrës së kryeqytetit që ofrojnë qira më të shtrenjta edhe shpesh herë shtëpi të pamobiluara. Një nga të kushtet që ofron qyteti Studenti dhe shpesh herë të rinjtë e përmendin kur jetojnë në banesa me qira është fatura e energjisë elektrike. Studentët që akomodohen në godinat e Ndërmarrjeve të Trajtimit të Studentëve kanë të siguruar energji elektrike në 24 orë dhe nuk paguajnë fatura. Ndërsa studentët që zgjedhin të jetojnë në banesa me qira marrin parasysh se duhet të paguajnë edhe faturën e konsumit të energjisë elektrike që shpesh herë është shumë e lartë.
1 Shtator 2010