E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama takon delegacionin e Partisë Komuniste kineze, ftohet të vizitojë Kinën



Kryetari i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, priti dje në një takim të veçantë delegacionin e lartë të Partisë Komuniste kineze të kryesuar nga ministri i për Komunikimin me Publikun, Liu Yunshan, ministër i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, njëkohësisht anëtar i Byrosë Politike dhe sekretar i Komitetit Qendror të PKK. Në këtë takim u diskutua mbi mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy partive, në funksion të zgjerimit shumëplanësh të marrëdhënieve shumë të mira dhe tradicionale ndërmjet dy vendeve tona. Ministri i Marrëdhënieve me Publikun pranë Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, zoti Liu Yunshan, theksoi se marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet partive tona përbëjnë një bazë solide për miqësinë shqiptaro-kineze. Këto marrëdhënie mund të thellohen përmes shkëmbimit reciprok të delegacioneve, për këtë qëllim ai e ftoi zotin Rama për një vizitë zyrtare në nivel të lartë të PSSH në Kinë. Kjo ftesë u pranua me kënaqësi nga lideri socialist, Edi Rama. Më tej gjatë takimit, drejtuesi i lartë kinez, vlerësoi maksimalisht punën dhe rolin e Edi Ramës në krye ta Bashkisë së Tiranës. “Ju zoti Edi Rama jeni shpallur në vitin 2004 kryetari i Bashkisë më të mirë në botë. Gjatë tri mandateve tuaja, Tirana ka ndryshuar shumë dhe banorët e Tiranës kanë besim të plotë te ju. Përvoja juaj është me mjaft interes”, - u shpreh gjatë takimit ministri Liu Yunshan. Kryetari i PS-së, Edi Rama, u ndal në mënyrë të veçantë në çështjen e njohjes së Kosovës, duke i kërkuar mikut kinez që “çështja e njohjes së Kosovës nga Republika Popullore e Kinës të shikohet me përparësi në kontekstin e ri të krijuar nga vendimi i GJND, por edhe në kontekstin e zhvillimeve shumë pozitive rajonale që ka sjellë pavarësia e Kosovës”.

1 Shtator 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›