E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha mbron buxhetin në Kuvend: Realizon premtimet e 2005-s

Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje në Kuvend shifrat e projektbuxhetit 2009 dhe bëri një bilanc të 4 viteve të qeverisjes, në raport me premtimet e fushatës së vitit 2005. Berisha deklaroi se në vitin 2009 përmbyllen realizimet e premtimeve të bëra në fushatën e zgjedhjeve të vitit 2005, si dyfishimi i pagave në shëndetësi, në arsim, rritjen e pensioneve, si dhe investimet në infrastrukturë. Ai ka bërë të ditur se do të ketë rritje pagash dhe pensionet më datë 1 maj të vitit që vjen. “Buxheti i vitit 2009 ndryshon për mirë rrjedhën e 800 mijë familjeve shqiptare. Gjithashtu, ky buxhet është buxheti i 520 mijë pensionistëve, të cilët do të marrin një pension rreth 50% më të madh që nga 1 maji i vitit 2009. 123 mijë lekë do jenë pensionet në qytet, ndërkohë që pensioni i invalidëve do shkojë në 110 mijë lekë. Pagat janë rritur deri në 70 për qind më shumë”, - tha Berisha. Sipas tij, Shqipëria sot ka nivele pagash dhe pensionesh që mund të krahasohen me vende të BE-së, si Rumania apo Bullgaria. “Me këtë nivel ne kalojmë edhe vendet e Bullgarisë dhe Rumanisë dhe afrojmë me 70 për qind me vende të tilla si Çekia apo Polonia”, - tha Berisha. Ai akuzoi më tej ish-qeverinë e majtë, si të korruptuar dhe të papërgjegjshme, pasi sipas tij, kishte një disbalancë të madhe pagash. “Kur erdha Kryeministër, gjeta një pagë prej 2.3 milionë lekësh, ndërkohë që pastruesja e institucionit merrte vetëm 110 mijë lekë. Ai ishte buxheti i babëzisë së majës së kleptokracisë”, - tha Berisha, i cili shtoi se ky buxhet “arkivon makuterinë socialiste”.

Akuza ndaj Ramës

Kryeministri Berisha akuzoi kreun e Bashkisë së Tiranës për shpërdorim fondesh. “Në të gjithë vendin, numri i nxënësve në klasa ka rënë nga 45-50 në 25-30. Fatkeqësisht kjo nuk ka ndodhur vetëm në kryeqytet. Kjo, sepse kryetari me korrespondencë i bashkisë jep leje edhe për kazino, por djeg 2 miliardë lekë për shkolla. Babëzia e Ramës bëri që të mos ndërtohen 8 shkolla të reja dhe të mos rikonstruktohen 12 shkolla të tjera”, - akuzoi Kryeministri. Gjatë fjalës së tij, Berisha iu përgjigj edhe reagimit nga vendi të mjaft deputetëve socialistë, për rritjen ekonomike. Deputetët e majtë thanë se rritja ekonomike e këtij viti nuk është sa parashikohej, por Kryeministri këmbënguli se “rritja ka qenë dyshifrore për këtë vit, pasi ka një institut që e mat këtë gjë”. Kryeministri premtoi më tej rritje të fondeve në infrastrukturë, shëndetësi, arsim, bujqësi, rritje të mëtejshme pagash dhe pensionesh etj. Berisha premtoi edhe mbjelljen e 20 milionë rrënjëve ullinjsh në të gjithë vendin, por që deputetët socialistë e pritën me të qeshura këtë premtim. Deputeti i PS-së, Erion Braçe, i cili reagoi pas fjalës së Kryeministrit, tha se qeveria “Berisha” nuk ka përmbushur premtimet e saj. Ai tha se Kryeministri gënjen me rritjen e të ardhurave dhe me uljen e taksave. “Biznesi i vogël paguan 10% tatim mbi të ardhurat, ndërkohë që është ngritur edhe një sistem i tërë referencash për pagat e çdo gjë, duke bërë që biznesi të paguajë shumë më tepër”, – tha Braçe. Por Braçe u kundërshtua nga deputetët e tjerë të djathtë, të cilët mbrojtën projektin e qeverisë. “Në këtë projektbuxhet parashikohet përsëri rritje pagash dhe pensionesh, parashikohet 20 për qind rritje për pensionet e fshatit dhe 10 për qind për pensionet e qytetit”, - tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho.

Buxheti 2009, me shifrën më të lartë, 5 miliardë dollarë

Shifrat e buxhetit 2009 janë rekord, duke pasur parasysh të gjitha buxhetet që ka bërë shteti shqiptar që nga krijimi. Viti 2009 do të ketë rreth 5 miliardë dollarë shpenzime. Fondi për investimet llogaritet në 100 miliardë lekë. Grantet konkurruese në vitin 2009 llogariten 8.7 miliardë lekë, 4 miliardë për rrugët dhe pjesa tjetër për ujësjellës, shkolla e shërbime të tjera lokale. Ky buxhet bën të mundur rritjen me 37 për qind të financimit të qeverive vendore nga qeveria qendrore. Në vitin 2009 ritmi i rritjes së të ardhurave llogaritet 10-11%. Buxheti i vitit 2009 realizon të gjitha premtimet për rritjen e pagave dhe pensioneve. Me shtesën që do të bëhet vitin e ardhshëm, të 44 mijë arsimtarët shqiptarë do të ndiejnë dyfishimin e rrogave. Po ashtu, me shtesën që do t’i bëhet vitin e ardhshëm, 14 mijë infermierët shqiptarë do të kenë dyfishim të pagave. Rritje të ndjeshme të pensionit me 10 për qind, ndërsa pensionistët në fshat do të kenë një rritje me 20 për qind, rritje kjo që garanton dyfishimin e pensioneve të tyre. Përfundimisht, pësojnë rritje të gjitha pensionet e natyrave të ndryshme, si dhe ndihma ekonomike. Rritja e pagave gjatë vitit të ardhshëm bëhet e mundur sërish në sajë të miradministrimit. Administrata shtetërore do t’u peshojë taksapaguesve shqiptarë gjithsej 6. 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm të vendit. Buxheti për vitin 2009 përbëhet nga buxheti i shtetit, buxheti vendor dhe fondet speciale: sigurimet shoqërore dhe sigurimet shëndetësore. Të ardhurat në buxhet parashikohen 332.586 milionë lekë, shpenzimet parashikohen 382.596 milionë lekë, ndërsa deficiti parashikohen 50.010 milionë lekë.

2 miliardë lekë për ish-të përndjekurit

Buxheti i vitit 2009 pritet të ketë një sasi dyfish më shumë fondesh për kompensimin financiar, për shtesën e ish-të përndjekurve politikë. Ndërsa për vitin 2008, janë 1 miliard lekë, ose rreth 10 milionë dollarë për ish-të përndjekurit, për vitin 2009 do të jenë dyfish më shumë fonde, ose 2 miliardë lekë. Aktualisht pritet të nisë dëmshpërblimi i parë për ish-të përndjekurit politikë. Të parët që do të përfitojnë do të jenë të përndjekurit që janë gjallë e mbi moshën 70-vjeçare, si dhe të sëmurët. Ky do të jetë kriteri bazë për përfituesit e parë të dëmshpërblimit, i cili do të fillojë shpërndarjen në fillim të muajit mars. Tashmë ka filluar edhe shpërndarja e formularëve për të verifikuar ish-të përndjekurit, duke bërë të mundur fillimin e procedurave për ndarjen e 10 milionë dollarëve që ka përcaktuar qeveria. Shoqatat e ish-të përndjekurve kanë rënë dakord që fondet e para të jepet për bashkëvuajtësit e tyre që janë të vjetër në moshë, ose të gjendje të vështirë për jetën.

600 milionë lekë për ish-pronarët

Buxheti i vitit 2009 parashikon një rritje fondi edhe për dëmshpërblimin e ish-pronarëve. Për vitin e ardhshëm parashikohen rreth 600 milionë lekë për ish-pronarët, ose rreth 20 për qind më shumë se viti 2008. Pritet që vitin e ardhshëm të rritet numri i të kompensuarve, pasi do të përdoret edhe fondi fizik i tokave. Subjektet që kanë depozituar kërkesat e tyre në vitet 2006 dhe 2007 dhe vërtetojnë kryerjen e pagesës, nuk paguajnë tarifën e aplikimit për vitin 2008. Do të jetë zyra e AKKP-së në qendër, në bashkëpunim me zyrat rajonale, që do të shqyrtojë dokumentacionin e subjekteve, që kërkojnë kompensim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›