Berisha mbron komunarin që e akuzoi për korrupsion
TIRANË - Nuk është mbushur ende një vit nga mbledhja e bujshme e KRRTRSH-së ku kryeministri Sali Berisha diskretitoi publikisht një nga kryekomunarët e vendit përkorrupsionin me trojet. Ndërsa dje, po para gazetarëve, shefi i qeverisë nxitoi të tregonte një kryetar komune si shembullin e administrimit të pushtetit vendor. Në fakt kryekomunari ishte i njëjti në harkun kohor të 365 ditëve. Ishte kryetari i Komunës së Farkës në Tiranë, Fatbardh Plaku, që një vit më parë u tregua me gisht për disa ndërtime të paligjshme, ndërsa dje mori përgëzimet për punën që kishte bërë për disa punime në infrastrukturë. Këto janë dy qëndrime të kundërta për të njëjtin person nga ana e shefit të qeverisë, ndërkohe që nëpër ekrane Kryeministri po shfaqet edhe me një spot publicitar, që njofton madje numrin e tij të celularit për të denoncuar çdo rast korrupsioni 24 orë në 24 orë. Por, dje kryeministri Berisha qëndronte krah kryetarit të Komunës, në një kohë që për këtë të fundit, vetëm një ditë para inaugurimit të rrugëve, nga ana e Prokurorisë ishte bërë gati edhe flet-arresti si person i dyshuar në tjetërsimin e pronave në mënyrë të paligjshme. Vizita e djeshme e Berishës, duke inauguruar rrugë e shkolla në këtë zonë, tentoi të heqë vëmendjen e problematikës së abuzimit me trojet në këtë zonë. Madje interesit të gazetarëve për këtë çështje, Berisha iu shmang duke thënë se dita e djeshme ishte ditë inaugurimesh.
Një vit më parë
Thuajse një vit më parë, në 28 Tetor të vitit 2007, në një mbledhje të KRRTRSH-se, kryeministri Sali Berisha akuzoi kryetarin e komunës së Farkës në Tiranë, Fatbardh Plaku, që kishte dhënë leje ndërtimi pa u miratuar më parë plani i zonës. “Lere, se një çerek Qesarake e ke edhe ti, atje tek Liqeni. Duket aty,- i është drejtuar Berisha kreut të komunës së Farkës. Ky i fundit i çuar në këmbë në mbledhjen e KRRTRSH-së kërkoi të merrte fjalën për ndërtimet në këtë zonë dhe situatën aty. “Të dëgjoj patjetër, por unë absolutisht do t’i vë një rregull këtyre, se po i shkatërruam edhe këto, të paktën për Farkën të kemi mundësi të kemi një plan. Është gjëja më e papranueshme që të zhvillohen në mënyrën më joharmonike”, - është shprehur Berisha lidhur me situatën e ndërtimeve në komunën e Farkës. Gjatë shqyrtimit të studimit urbanistik pjesor për komunën e Farkës, Kryeministri theksoi se do të vendoset një rregull i rreptë në zhvillimin e komunave që ndikojnë në jetën e qytetit të Tiranës. “Ne duhet të vëmë një rregull të rreptë në zhvillimin e komunave përreth, të cilat ndikojnë thellësisht në jetën e këtij qyteti. Qesaraka nuk mund të përsëritet më, prandaj ne duhet të kemi një vetëdije për këtë”, - u shpreh Berisha.