E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i mishit fluturon në 750 lekë

Financat Personale

Një nga produktet e pakta që nuk qe prekur nga inflacioni i muajve të fundit, pësoi rritje prej 7.1% këtë javë

Çmimi i mishit të viçit në Tiranë pësoi rritjen e parë të rëndësishme pas shumë vitesh këtë javë, kur filloi të shitej për 750 lekë kilogrami, nga 700 lekë që shitej deri javën e kaluar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, çmimi i mishit në Shqipëri gjatë tre viteve të fundit ka qenë mesatarisht 635 lekë në territorin e vendit dhe nuk ka lëvizur që nga viti 2005. Sipas anketës së konsumit të familjeve, familjet shqiptare shpenzuan mesatarisht 5100 lekë në muaj për mish dhe nënprodukte mishi gjatë vitit të kaluar, ose 22% e të gjitha shpenzimeve për ushqime. Gjatë vitit të kaluar, në Shqipëri u prodhuan 158 mijë tonë mish, nga të cilat, 83 mijë tonë qe mish viçi e lope. Prodhimi i mishit në vend pësoi një rritje shumë të madhe vitin e kaluar, duke sjellë rënie po aq të madhe të numrit të lopëve, ndërkohë që edhe mishi i importit pësoi një rritje prej 42% duke arritur në 97 milionë euro.

Ndryshime strukturore në treg

Çmimi i mishit dhe produkteve të tjera blegtorale ka qenë deri më sot i përcaktuar krejtësisht nga konkurrenca e lirë. Prodhuesit janë me mijëra, tregtarët dhe kasapët janë gjithashtu të shumtë, duke krijuar kushtet për konkurrencë optimale. Por gjatë viteve të fundit, disa fabrika të nënprodukteve të mishit kanë zgjeruar aktivitetin e tyre te shitja e mishit të papërpunuar, duke krijuar rrjete shitjesh dhe duke shërbyer si referencë në treg. Kjo situatë duket se e ka bërë më të lehtë rritjen e çmimit gjatë javëve të fundit, rritje që filloi nga dyqanet që janë pjesë e rrjeteve të fabrikave dhe vijoi te kasapët e pavarur. Prodhimi i sallameve dhe proshutave në Shqipëri ra në 9100 tonë gjatë vitit të kaluar, nga 9800 tonë që pati qenë në vitin 2006. Totali i prodhimit ka një vlerë prej 45 milionë eurosh. Por duke parë sasinë e mishit të importuar prej 97 milionë eurosh, mish që ka për destinacion kryesisht fabrikat, është e vështirë të besohet se sasia e prodhuar është kaq e vogël. Rritja e fortë e prodhimit të mishit, solli uljen e numrit të bagëtive. Lopët ranë në 396 mijë krerë nga 420 mijë që qenë në vitin 2006. Numri i deleve dhe dhive nuk ndryshoi shumë duke u luhatur përkatësisht në 1.3 milionë dhe 876 mijë krerë.

Shqiptarët, këta mishngrënës

Sipas anketës së konsumit të organizuar nga Instat, shqiptarët shpenzuan gjatë vitit të kaluar rreth 400 milionë euro për mishin që kanë konsumuar. Çdo familje shpenzoi rreth 500 euro në vit ose rreth 40 euro në muaj. Mishi i lopëve apo i viçave është më i parapëlqyeri. Në sasi, rreth 53% e mishit të konsumuar, është mish gjedhi. Gjatë vitit të kaluar, shqiptarët konsumuan 46 mijë tonë mish deleje e dhie, 16 mijë tonë mish derri dhe 13 mijë tonë mish pule apo shpendësh të tjerë. Tregu i mishit përbën tregun më fitimprurës në Shqipëri për të gjitha segmentet, nga fshatari te tregtari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›