E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha me KE-në: Ne, superfuqi energjetike

Kryeministri Berisha u shpreh se përmes projekteve energjetike ai po mendonte edhe për Europën


TIRANË - Kryeministri Sali Berisha vazhdon të mbrojë qëndrimin e tij se Shqipëria edhe pse një vend i vogël është superfuqi energjetike.


Gjatë takimit të zhvilluar me një delegacion të Komisionit Europian, nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit, të kryesuar nga Samuele Furfari, Berisha shkoi deri atje sa të shprehej se përmes projekteve për energjinë, qeveria shqiptare ka synuar fillimisht të përmbushë nevojat aktuale, si dhe të projektojë të ardhmen e tyre, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe Europën. "Shqipëria, edhe pse një vend i vogël, superfuqi energjetike.


Ky vizion bazohet në faktin që nëse ka një treg pothuajse të përjetshëm, është tregu i energjisë. Kërkesa për të po rritet pafundësisht dhe domosdoshmëria e ndjekjes së saj përbën çelësin e suksesit të strategjive dhe reformave të qeverisë sime", - u shpreh Kryeministri Berisha. Sipas njoftimit për shtyp të kryeministrisë, Berisha i prezantoi delegacionit projektet në zhvillim për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të prodhimit të energjisë në Shqipëri.


"Me politikat e saj, qeveria shqiptare arriti në 3 vitet e fundit të aktivizojë sektorin privat me projekte investimi të shumta në fushën e përdorimit të burimeve hidrike, si dhe në aktivizimin e burimeve të reja të papërdorura më parë, të erës, biomasës, diellore, pa lënë mënjanë ngritjen e impianteve të gazifikimit dhe transportit të tij. Qeveria shqiptare, po ecën me hapa të shpejtë edhe në realizimin e një projekti investimi bërthamor në rang rajoni.


Duke pasur në qendër të vëmendjes mbrojtjen e ambientit, qeveria shqiptare pasuron portofolin e prodhimit të energjisë edhe me ngritjen e centraleve me cikël të kombinuar, si dhe me djegie fosilesh. Janë licencuar dhe mbështetur disa projekte gazsjellës, si dhe impiante të rigazifikimit të gazit të lëngshëm",- tha Berisha.


Kryeministri siguroi se të gjitha direktivat edhe politikat e KE-së dhe të BE-së janë pika reference të programeve të qeverisë së tij dhe se e vlerësonte bashkëpunimin për kthimin e Shqipërisë në një vend të fuqishëm eksportues të energjisë, si dhe qendër të sistemit të transportit të gazit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›