Rama: Nëse nuk hapen kutitë, protestat do jenë afër

Kryesocialisti shtoi gjithashtu se në mungesë të zgjidhjes së krizës, zgjedhjet e parakohshme do të jenë të pashmangshme
VLORË - Në vijim të turit të informues për arsyet pse opozita do të dalë sërish në protesta, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, është ndalur në qytetin e Vlorës, ku iu përgjigj pyetjeve të një paneli gazetarësh të këtij qyteti nga ku ka konfirmuar edhe një herë vendosmërinë e forcës dhe koalicionit që ai drejton për të kërkuar deri në fund hapjen e kutive të votimit, si mundësia e vetme për të shpëtuar proceset e ardhshme zgjedhore.
Rama edhe një herë ka garantuar vullnetin që ka Partia Socialiste për të dhënë kontributin e saj për zgjidhjen e kësaj krize politike, e cila, sipas tij, nuk mund të zgjidhet veçse duke hetuar atë se çfarë kanë kutitë e votimit brenda.
"Ne jemi gati të japin ndihmën tonë për këtë krizë që nuk është vetëm politike, por, tashmë, po ndihet edhe te familjet shqiptare, të cilat po ndiejnë shtrenjtimin e energjisë, si pasojë e keqmenaxhimit të këtij sektori nga ana e qeverisë", - u shpreh Rama. Në të kundërt, ka theksuar kreu socialist, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Partia Socialiste dhe koalicioni i partive që e mbështesin atë, janë gati që të hidhen sërish në protesta, të cilat, sipas tij, në rast se do të fillojnë nuk do të ndalin më deri në rrëzimin e kësaj qeverie.
"Nuk ndodh që PS-ja të dorëzohet dhe të thotë që kjo e drejtë nuk ekziston dhe nëse kjo e drejtë do të vazhdojë të mohohet, partia Socialiste do të vijojë të jetë jashtë parlamentit pavarësisht deklaratave që mund të japë njëra apo tjetra palë", - tha Rama në fjalën e vet. Për sa i përket zgjidhjes së këtij ngërçi, kryesocialisti ka bërë të qartë se s'ka një rrugë të mesme veç asaj të hapjes së kutive.
"E vetmja rrugë është hapja e kutive dhe nuk ka rrugë të mesme, pasi në të kundërt nëse nuk realizohet kjo gjë, protestat janë shumë afër", - tha Rama, por duke mos dhënë një datë të saktë se kur të rifillojnë ato. Edhe një herë Rama ka dashur të qetësojë gjithkënd që e konsideron hapjen e kutive antikushtetuese, se një gjë e tillë nuk është për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve, por për të treguar realitetin e zgjedhjeve të 28 qershorit, në mënyrë që në të ardhmen mos të përsëriten të njëjtat gabime.
Rama, gjithashtu, duke komentuar kokëfortësinë që po tregon mazhoranca për hapjen e kutive të votimit, ka theksuar se kjo tregon frikën që ndjen Partia Demokratike se pushtetin që mban nuk e ka mbi baza legjitime, por mbi vota të vjedhura.
"Për sa i përket fitores së zgjedhjeve, ato janë fituar prej partisë Socialiste dhe kjo gjë duket më së miri nga ngurrimi i Partisë Demokratike për të hapur kutitë, të cilat fshehin të vërtetën në brendësi të tyre", - shtoi kryesocialisti. Kryesocialisti shtoi, gjithashtu, se në rast mungesë të zgjidhjes së krizës, zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme.
Ai evitoi të fliste për Nanon, duke u shprehur me ironi se do të ishte më mirë të flitej për Flamurtarin e Vlorës, se sa të humbej kohë me të. Ndërsa, i pyetur mbi qëndrimin e deputetëve të LMN-së për tu futur në Kuvend, kryesocialisti theksoi se ata që futen në Kuvend ikin vetë nga PS-ja. Pas Vlorës do të jetë radha e qytetit të Elbasanit, ku kreu socialist do të vijojë turin e tij të ballafaqimit me gazetarët.