Berisha me familjarët e paqeruajtësve: Mirënjohje!
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë dje në një ceremoni festive të organizuar me familjet e ushtarakëve shqiptarë që në ndodhen të shpërndarë në misione paqeruajtëse nëpër botë. Duke shprehur mirënjohje për realizimin e detyrës së vështirë në Afganistan, Çad e Bosnje, Kryeministri Berisha falënderoi ushtarakët shqiptarë, si dhe u përcolli, prindërve, bashkëshortëve dhe fëmijëve të pranishëm, ndjenjën e lartë të krenarisë që kombi dhe qeveria shqiptare ka për familjarët e tyre jashtë atdheut. Gjatë këtij aktiviteti, u realizua edhe një bisedë telefonike mes Kryeministrit Berisha dhe major Abaz Bregut që shërben në Herat, në Afganistan, si dhe major Besim Çelës, me detyrë në Çad, ku shkëmbyen falënderimet dhe urimet me rastin e festave të fundvitit. Berisha u tha të afërmve të ushtarakëve shqiptarë se janë ata që përfaqësojnë kombin tonë në zonat më të nxehtat të planetit, përfaqësojnë vullnetin e hekurt të kombit shqiptar dhe të qeverisë shqiptare. për të dhënë kontributin e vet modest në paqen dhe sigurinë botërore, si rruga më e sigurt për të pasur paqe dhe siguri në vendin tonë, në shtëpinë tonë. “Ne jemi mbledhur krenarë me ushtarakët tanë në Afganistan, Çad, Bosnje dhe kudo që ndodhen, për detyrën që ata kryejnë, për mënyrën e shkëlqyer se si ata e kryejnë, për përfaqësimin dinjitoz që ata na bëjnë ne; ne jemi mbledhur sot mirënjohës ndaj tyre, sepse ata janë në një sakrificë të vazhdueshme. Në këtë kontekst, sakrifica e tyre është edhe ajo një kontribut i kësaj feste që ne bëjmë sot këtu”, - deklaroi z. Berisha. Kryeministri i vendit i falënderoi familjet e ushtarakëve tanë në emër të qeverisë dhe të kombit, të cilat ndajnë me bijtë dhe bashkëshortët e tyre sakrificën në emër të interesit të madh kombëtar. “Komanda, qeveria do të bëjë çdo gjë që boshllëkun e ushtarakëve tanë ta bëjë sa më pak të ndjeshëm në familjet e tyre”, - theksoi z. Berisha.