Berisha merr mbështetje nga zëvendëspresidenti amerikan Biden

Ditën e djeshme kryeministri i vendit në kuadër të takimeve në SHBA u takua edhe me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. Administrata e re amerikane, do të mbështesë plotësisht Shqipërinë në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe forcimin e një shoqërie demokratike dhe në rrugën e reformave integruese.
Ka qenë kjo mbështetja që kryeministri i vendit Sali Berisha ka marrë nga zëvendës presidentin amerikan Joe Biden gjatë qëndrimit të tij në SHBA në kuadër të aktivitetit Mëngjesi i Lutjeve. Ndër të tjera, gjatë këtij takimi zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, u shpreh se ndihej shumë i nderuar të ishte mik i Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe pranoi me kënaqësi ftesën e bërë nga kryeministri Berisha për të vizituar Shqipërinë. Në fillim të takimit, Berisha i shprehu Joe Biden mirënjohjen e thellë, kënaqësinë e veçantë dhe nderin e madh për mundësinë që iu dha për të takuar zëvendëspresidentin amerikan, një mik të vyer të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Nga ana e tij, zëvendëspresidenti amerikan Biden u shpreh me ndjenja të përzemërta për këtë takim dhe tha se ndihej i nderuar që ishte mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve. Gjatë qëndrimit në Uashington, kryeministri Berisha, i shoqëruar nga kryetari i Partisë Republikane, deputeti Fatmir Mediu, takoi Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi. Zonja Pelosi shprehu interes për reformat integruese të Shqipërisë dhe shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i shprehu zonjës Pelosi mirënjohjen e madhe për ndihmën dhe mbështetjen që Kongresi Amerikan i ka dhënë Shqipërisë gjatë këtyre viteve, në rrugën e integrimit të saj në NATO dhe në suksesin e reformave të ndërmarra në vend. Nga ana e saj, Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, Nancy Pelosi, u shpreh e kënaqur që takohej me kryeministrin Berisha, ndërsa garantoi thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, në vazhdim. Pelosi, pas ftesës së bërë nga kryeministri Berisha, shprehu kënaqësinë për të vizituar Shqipërinë, vend për të cilin nuk i ishte dhënë mundësia më parë për ta vizituar. Në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uashington DC, u zhvillua ceremonia e Mëngjesit të Lutjeve, një takim ndërkombëtarë, me pjesëmarrjen e personaliteteve të larta nga 182 vende të botës si, senatorë, kongresmenë amerikanë, anëtarë të qeverisë amerikane, zyrtarë të lartë të administratës, liderë, politikanë të lartë dhe personalitete të ndryshme të botës, nga fusha e artit, kulturës, shkencës etj. Në ceremoni morën pjesë Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, i shoqëruar nga zonja e parë Michelle Obama dhe Zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden. Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij, u ishte rezervuar një vend nderi në tryezën ku ndodhej Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton dhe Senatori Bill Nelson. Kryeministri Berisha, në vijim të vizitës së tij në Uashington, ka marrë pjesë në një drekë të shtruar nga komiteti organizator i Mëngjesit të Lutjeve. Në frymën e kësaj dreke tepër miqësore, Kryeministri Berisha u ndal tek vlerat e kombeve, paqja dhe bashkëpunimi, pajtimi dhe e ardhmja. Është gjithashtu një nder i madh për mua tju shpreh mirënjohjen time më të thellë të gjithë juve, anëtarë të Kongresit amerikan, administratës amerikane, si dhe përfaqësues të vendeve të ndryshme që keni mbështetur kaq shumë vendin tim, gjatë rrugës e përpjekjeve të tij për të ndërtuar një shoqëri të lirë, tha në fillim të përshëndetjes së tij, Kryeministri Berisha. Në mbyllje të takimeve të ditës së dytë të qëndrimit në SHBA, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me Senatorin e njohur John MÇain, kandidat presidencial në zgjedhjet e fundit presidenciale. Në përfundim të takimit, z. MÇain, duke vlerësuar punën e Kryeministrit Berisha, shprehu bindjen se në të ardhmen marrëdhëniet mes SHBA-ve dhe Shqipërisë e qeverisë shqiptare do të jenë më të afërta. Mëngjesi i Lutjeve është një takim vjetor që mbahet në Uashington të enjten e parë të muajit shkurt të çdo viti dhe është shndërruar tashmë në traditë të promovimit, vlerave njerëzore, paqes, dashurisë dhe miqësisë në botë.
Email This Klikime: 102
Email This Klikime: 102