Vlorë, shkolla "Ibrahim Kushta" e izoluar nga balta
Shkolla 9- vjeçare, "Ibrahim Kushta", e cila ndodhet në periferi të qytetit të Vlorës, mund të ketë një të ardhme të hidhur, mund të mbyllet përkohësisht për shkak të infrastrukturës që e rrethon atë. Prindërit e nxënësve të kësaj shkolle kanë kërcënuar se nuk do ti çojnë më fëmijët në shkollë, nëse nuk rregullohet infrastruktura pranë saj.
Kjo shkollë ndodhet në periferi të qytetit, pranë tregut të shumicës, por rrugët që të çojnë në këtë shkollë janë me të vërtetë në gjendje alarmante. Rruga ka pësuar çarje të thellë na asfalt, e për më tepër në të dy anët e kësaj rruge janë hedhur me qindra tonelata baltë dhe mbeturina inerte që në shiun më të parë dalin në mes të rrugës. E në ditë të tilla, fëmijët janë të detyruar të vishen me çizme për të depërtuar deri në oborrin e shkollës, e cila në të vërtetë është rikonstruktuar vetëm pak vite më parë. Drejtori i shkollës shpjegon se godina ku mësojnë nxënësit është shumë e re, pasi vetëm pak vite ka që është ndërtuar dhe është mirëmbajtur shumë mirë, por sipas tij çdo gjë rreth e rrotull saj është për të të ardhur keq. "Balta e mbulon këtë shkollë nga të gjitha anët dhe është e vërtetë që nxënësit e kanë shumë të vështirë për të ardhur në shkollë. Sidomos në raste shiu vështirësia ndodh të jetë e pakalueshme dhe në këto raste mungesat janë të shumta", pohon drejtori i shkollës, në të cilën mësojnë nxënës të familjeve të ardhura nga rrethe të ndryshme të vendit dhe të ngulura këtu pas viteve '90. Ata kanë ardhur këtu për një jetë më të mirë, por pothuajse të gjithë ankohen për kushtet që kanë gjetur këtu dhe problem më të madh kanë çuarjen e fëmijëve në shkollë. Janë këta prindër që nuk harrojnë të kujtojnë bashkinë e qytetit, nën juridiksionin e të cilës është edhe lagja e tyre, ajo "Kushtrimi", se edhe këtu jetojnë njerëz ndonëse jo vlonjatë, por kjo nuk do të thotë se ata duhet të jenë jashtë vëmendjes së tyre. Këta banorë nuk harrojnë të kujtojnë edhe faktin se sa herë ka fushatë votimesh, nuk mungojnë të vijnë këtu të gjithë kandidatët dhe të kërkojnë votat përmes premtimeve por që mbeten të kota se kjo rrugë nuk ka parë asnjëherë rikonstruksion. Pranë kësaj shkolle ndodhet edhe tregu i shumicës së qytetit dhe makinat e shumta që vijnë këtu luajnë një rol të madh negativ në prishjen e kësaj rruge që vështirëson shkuarjen në shkollë të nxënësve.
Email This Klikime: 8
Email This Klikime: 8