Berisha merr medaljen Ajzenhauer, për kontributin e dhënë në promovimin e klimës paqësore në Shqipëri dhe rajon

Kryeministri Berisha është shqiptari i dytë pas Nënë Terezës, që vlerësohet me këtë çmim të lartë. Në listën e të laureuarve me këtë çmim spikasin ish-presidentët amerikanë Xhorxh.W.Bush, Ronald Regan e Xhimi Karter, si dhe Papa Gjon Pali II
Shefi i ekzekutivit Sali Berisha, përmes një videoje e falënderoi organizatën për çmimin prestigjioz, duke e vlerësuar atë si një nder jo vetëm për të por edhe për shqiptarët në të gjithë botën
Organizata “People to People International”, nderon përmes një darke prestigjioze në Las Vegas të shtetit Nevada, kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha me çmimin ndërkombëtar “Eisenhoëer Medallion”. Mary Eisenhower, presidente e kësaj organizate, përshëndeti aktivitetin duke u shprehur se ky çmim i jepet Profesor Doktor Sali Berishës për kontributin që ka dhënë në krijimin e një klime paqësore mes Shqipërisë, vendeve të rajonit dhe komunitetit global.
Përmes një videoje, kryeministri Berisha falënderoi organizatën për çmimin prestigjioz, duke e vlerësuar atë si një nder jo vetëm për të por edhe për shqiptarët në të gjithë botën. Ai tha se ishte nder i veçantë që ishte zgjedhur si shqiptari i dytë, pas Nënë Terezës të cilit i jepet ky çmim.
Kryeministri Berisha nuk mori pjesë në ceremoninë për shkak të angazhimeve në formimin e qeverisë së re në Tiranë. Në emër të tij, çmimin e pranoi bashkëshortja e kryeministrit, zonja Liri Berisha e shoqëruar nga zëvendës ministrja e Jashtme znj. Edit Harxhi.
Duke pranuar çmimin zonja Liri Berisha falenderoi “Organizatën people to People International” dhe presidenten e saj znj. Meri Eisenhower për çmimin dhënë bashkëshortit të saj, duke shtuar se kryeministri Berisha do ta vazhdojë me përkushtim punën e tij për përmirësimin e jetës së popullit shqiptar.
Mes organizatorëve të ndarjes së çmimeve ishte edhe Genci Muçaj, një nga anëtarët e bordit të organizatës “People to People International” i cili tha se ky çmim nderon dhe vlerëson jo vetëm kryeministrin Berisha, por të gjithë shqiptarët kudo që janë.
Çmimi prestigjioz “Eisenhower Medallion” është krijuar për nder të ish-presidentit të 34-t të Shteteve të Bashkuara, Dight D. Eisenhower. Ky çmim u jepet çdo vit personaliteteve të shquara, me famë botërore, të cilët kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në procesin e paqes në botë.
Disa prej personaliteteve që kanë fituar këtë çmim ndër vite janë: Nënë Tereza; Shkëlqesia e Tij Papa Gjon Pali i Dytë, Ish-presidentët e SHBA-ve Xhorxh Herbert Walker Bush, Jimmy Carter, Ronald Reagan etj.
Qëllimi i “People to People International” është të promovojë mirëkuptim dhe miqësi nëpërmjet aktiviteteve edukative, kulturore dhe humanitare duke përfshirë shkëmbimin e drejtpërdrejtë të ideve dhe eksperiencave të njerëzve nga vende dhe kultura të ndryshme.
“People to People International” ka në fokusin e vet rritjen e komunikimit ndërkulturor brenda çdo komuniteti, si dhe ndërmjet komuniteteve dhe kombeve të ndryshme. Toleranca dhe mirëkuptimi i përbashkët janë tema qendore. Edhe pse një organizatë jo-politike, People to People International mbështet vlerat dhe synimet bazë të themeluesit të saj, Presidentit Dwight D. Eisenhower, i cili e krijoi këtë organizatë, më 11 Shtator.
Kryeministri Berisha i shpreh ngushëllimet Kryeministrit bullgar Borisov për tragjedinë e liqenit të Ohrit
Kryeministri Berisha i ka dërguar një mesazh ngushëllimi Kryeministrit të Bullgarisë, Bojko Borisov, me rastin e tragjedisë së liqenit të Ohrit ku humbën jetën një numër i madh turistësh.
Në mesazhin tij Kryeministri Berisha shprehet: “I dashur Kryeministër Borisov, Lajmi i vdekjes tragjike së turistëve bullgarë në ujërat e liqenit të Ohrit, në datën 5 shtator, ka tronditur thellë mua, qeverinë shqiptare dhe popullin e vendit tim. Duke ju shprehur Ju, qeverisë bullgare, kombit tuaj mik dhe familjeve të viktimave simpatinë, solidaritetin dhe ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe të qeverisë shqiptare, unë lutem bashkë me ju që shpirtrat e viktimave të tragjedisë të liqenit të Ohrit të gjejnë paqen e merituar.
Me respekt, Sali Berisha”