E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Partia Demokratike, pas vendimit për bojkot të punimeve të kuvendit

Partia Demokratike e ka konsideruar vendimin e djeshëm të grupit kuvendor të Partisë Socialiste, për bojkot të parlamentit si të qëllimshëm, për të dëmtuar lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë, të cilët duan të lëvizin drejt fëmijëve dhe familjarëve të tyre në emigracion.
Zëdhënësja e Partisë Demokratike Erla Mëhilli, tha gjatë një konference për shtyp se “PD denoncon këtë veprim të Ramës, i cili ka për qëllim të vetëm bllokimin e procesit të heqjes së vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Europian”, duke shtuar se “në këtë mënyrë ai dëmton direkt mijëra e mijëra shqiptarë që presim me padurim të lëvizin të lirë drejt fëmijëve dhe familjarëve të tyre në emigracion”. “Edi Rama, humbësi i zgjedhjeve të 28 Qershorit, shpalli publikisht bojkotin e Parlamentit të paralajmëruar me dhjetra e dhjetra herë 2 muajt e fundit, si rrugën e vetme të mbijetesës së tij politike. Partia Demokratike duke denoncuar këtë qëndrim të tij informon shqiptarët, se me këtë vendim tërësisht në funksion të karrierës së tij politike, Edi Rama ka si qëllim të vetëm bllokimin e procesit të heqjes ë vizave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, duke dëmtuar në këtë mënyrë qindra e mijëra të rinj shqiptarë që presin me padurim të lëvizin të lirë në Evropë dhe duke ndëshkuar qindra e mijëra familjarë që po me aq padurim presin të lëvizin të lirë drejt fëmijëve dhe familjarëve të tyre në emigracion”, u shpreh zëdhënësja Mëhilli.
Zëdhënësja e selisë blu shtoi se me vendimin e tij, Edi Rama faktoi se është i zhveshur nga çdo ndjenjë dhe normë morale njerëzore dhe se për interesa të veta personale është i gatshëm të marrë çdo lloj vendimi në dëm të qytetarëve shqiptarë. “Partia Demokratike duke mbetur e hapur për bashkëpunim luajal me opozitën u deklaron shqiptarëve se qëndrimet dhe vendimet e Edi Ramës nuk do të mund të pengojnë procesin e heqjes së vizave. PD ka besim të plotë se Bashkimi Evropian këtyre qëndrimeve primitive do t’u përgjigjet me të njëjtin qëndrim siç i’u përgjigj bilbilave dhe borive që Rama futi në Parlament për të bllokuar firmosjen e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së”, deklaroi më tej zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›