Berisha merr në qeveri Starovën dhe Bajazitin
ADI SHKEMBI
Pas përfundimit të negociatave me LSI-në dhe PAA-në, Partia Demokratike ka zyrtarizuar bashkëpunimin paszgjedhor edhe me tre forca të tjera politike. Konkretisht, në mbledhjen e djeshme të Qeverisë u miratua vendimi për të emëruar kryetarin e Partisë Lëvizja e Legalitetit, Ekrem Spahia në postin e zv/ministrit të Mbrojtjes. Prej dy vitesh kreu i PLL-së, mbante postin e zv/ministrit në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Pas shkarkimit dy javë më parë të zv/ministrit Aleksandër Garuli, i Partisë Republikane, kjo forcë do të ketë një post të nivelit të dytë në Ministrinë e Kulturës. Futbollisti i njohur Dashnor Bajaziti, përfaqësues i Partisë Republikane, do të marrë postin e lënë bosh nga Ekrem Spahia. Një tjetër forcë politike e cila doli së bashku me PD-në në zgjedhjet e 28 qershorit, Partia Bashkimi Liberal Demokrat do të përfaqësohet edhe ajo me post dytësor në kabinetin qeveritar. Kështu pasi mbajti për katër vite postin e zv/ministrit të Mbrojtjes, Petrit Karabina, përfaqësuesi i PBLD-së, u lirua dje nga kjo detyrë vendin e tij e ka marrë kreu i kësaj partie, Arjan Starova. Në këtë mënyrë kjo ministri do të ketë tre zv.ministra, pasi së bashku me Spahinë dhe Starovën është edhe zv.ministrja aktuale, Zana Xhuka. Deri tani pesë forca politike kanë marrë poste zv.ministrash në kabinetin qeveritar. Ndërkohë ende demokratët nuk kanë zyrtarizuar bashkëpunimin paszgjedhor me dy formacionet politike të komunitetit çam. Burime nga PD-ja bëjnë të ditur se po negociohet me partinë për Drejtësi dhe Integrim të Tahir Muhedinit, e cila ishte një parti parlamentare, deri në momentin që deputeti Dashamir Tahiri u largua dhe së bashku me Shpëtim Idrizin krijuan Partinë për Drejtësi dhe Unitet. Kryeministri Berisha është shprehur se të gjitha forcat politike, që kanë qenë pjesë e koalicionit të djathtë në zgjedhjet e 28 qershorit do të jenë të përfaqësuara në qeverisje në bazë të votave që kanë marrë. Përveç pesë partive që tashmë kanë poste zv/ministrash, partitë e tjera të vogla pritet të përfaqësohen në nivel drejtorësh nëpër rrethe.
Emërimet
• Ekrem Spahia lirohet nga detyra e zv.ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe emërohet zv.ministër i Mbrojtjes
• Dashnor Bajaziti emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
• Petrit Karabina lirohet nga detyra e zëvendësministrit të Mbrojtjes
• Arjan Starova emërohet zëvendësministër i Mbrojtjes.