PD, Metalla: Kufiri me Greqinë, Rama kundër interesave të shqiptarëve
Partia Demokratike e cilëson absurde nismën e PS-së për të ankimuar në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për ndarjen e kufijve detarë ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë. Deputeti i PD-së, Osman Metalla, në një konferencë për median deklaroi se “PS me këtë ankimim bëri bllofin e radhës”. “Jam këtu para jush për t’ju thënë qytetarëve shqiptarë se ky është bllofi i radhës i Edvin bllofit. Ai në kërkesën e tij për antikushtetueshmërinë e kësaj marrëveshje pretendon se është cenuar neni 3 i Kushtetutës, nuk është zbatuar vendimi i konferencës së ambasadorëve të Londrës të vitit 1913, protokolli i Firencës së vitit ’13, ’25 dhe ’26, si dhe nuk janë respektuar parashikimet e Konventës Montego Bay e vitit 1982. Unë dua t’u them shqiptarëve se atakimi i kësaj marrëveshjeve në Gjykatën Kushtetuese është një sulm që i bëhet interesave të shqiptarëve”, tha Metalla. Sipas demokratit, vendosja e kufijve është një element shumë i rëndësishëm strategjik i sigurisë kombëtare. “Në një kohë kur qeveria është tërësisht e angazhuar me përmbushjen e kërkesave të BE-së, për liberalizimin e vizave, ku një ndër kërkesat kryesore është forcimi i kontrollit të kufijve. Edvin Rama do ta lërë Shqipërinë pa kufij dhe shqiptarët pa viza. Të gjitha pretendimet janë të pabazuara. Ashtu si në rastin e vdekjes së z.Trebicka, mashtrimin që i bëri opinionit publik me ngritjen e një hidrocentrali bërthamor në Shkodër apo me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, të cilat rezultuan të ishin bllofe dhe sulmi që i bëhet kësaj marrëveshje nuk është gjë tjetër veçse bllofi i radhës”, theksoi Metalla. Për deputetin e PD-së, Shqipëria nuk ka pasur ndarje të kufijve detar me Greqinë dhe se vija e hequr në hartat ka qenë një kufi i panjohur dhe deklaruar ndërkombëtarisht dhe pa një marrëveshje ndërmjet dy shteteve. “Protokolli i Firences përcakton vetëm kufij tokësorë dhe bën një përshkrim vetëm të kufirit deri në pikën e mesit ndërmjet kepit të Stidhos dhe ishullit të Korfuzit. Në asnjë dekret apo akt tjetër ligjor nuk ka një përcaktim të kufirit ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Greqisë. Ne përcaktimin e kësaj vije ndarëse të ujërave detare të RSH-së janë zbatuar praktikat më të mira të së drejtës detare dhe ato të Konventës së Kombeve të Bashkuara, ligji i Detit 1982, e cila është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë në 2003”, argumenton Metalla.