Berisha merr pjesë në ceremoninë e marrjes së çmimit nga Prokurimi publik elektronik
Kryeministri Sali Berisha ishte dje i pranishëm në ceremoninë e marrjes së çmimit që Organizata e Kombeve të Bashkuara, Departamenti për Çështjet Ekonomike dhe Sociale (UNDESA), i ka akorduar Agjencisë së Prokurimit Publik të Republikës së Shqipërisë, në kategorinë: Përmirësimi i transparencës, përgjegjësisë dhe gatishmërisë në Shërbimin Publik. Pas përshëndetjeve të rastit, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese e Përhershme e PNUD-it në Shqipëri, Gülden Türköz-Cosslet i dorëzoi çmimin Kryeministrit Berisha. “Çmimi që i jepet Shqipërisë sot për shërbimet publike është një inkurajim shumë i madh, siç thotë edhe vetë motivacioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të gjithë sektorët e tjerë të administratës, në mënyrë që me përpjekje të mëdha të rrisim përgjegjshmërinë, transparencën, në shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë”, - u shpreh Berisha. Ai vlerësoi se çështja e prokurimeve publike është një nga veprimtaritë madhore të çdo administrate dhe sipas Berishës në vitin 2005 rekordi i Shqipërisë ishte ndër më negativët. “Dy ishin problemet më madhore: së pari mbi 75 përqind e tyre ishin direkt apo me negocim, çka do të thotë se paratë shkonin aty ku paracaktohej dhe jo aty ku duhej, dhe së dyti, në mënyrën më absurde, autoritetet kontraktuese nuk u jepnin kompanive dokumentet e tenderëve”, - tha kryeministri Berisha
13 Korrik 2010