Gjoni: “Berisha ti mbajë duart larg nga uzurpimi i Shërbimit Informativ të Shtetit”
Eneida Jaçaj
Partia Socialiste i ka bërë thirrje maxhorancës të mos e përfshijë projektligjin për Shërbimin Informativ të Shtetit në seancën e datës 22 korrik. Ky projektligj, i miratuar në parim me fshehtësi në Komisionin Parlamentar të Ligjeve nga maxhoranca, është kundërshtuar jo vetëm nga opozita, por edhe nga ndërkombëtarët. Deputeti Ilir Gjoni i ka bërë apel Berishës t’i mbajë duart larg këtij institucioni dhe të gjitha institucioneve të tjera kushtetuese, pasi pa më të voglin dyshim do të përgjigjet një ditë për zullumet e tij.
Deklarata
“Sali Berisha dhe maxhoranca qeverisëse, me sa duket, ka vendosur t’u shkojë deri në fund përpjekjeve destruktive për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet e pavarura të shtetit. Reagimi i ashpër i opinionit publik vendas, ekspertëve vendas e ndërkombëtarë, institucioneve e përfaqësuesve ndërkombëtarë, çoi në tërheqjen nga ana e qeverisë dhe mosfutjen në seancë të këtij projektligji, i cili cenonte pavarësinë e institucionit. Fakti i përfshirjes në seancën e datës 22 korrik 2010, si dhe fakti akoma më shqetësues që deputetëve të opozitës në Komisionin e Sigurisë, me gjithë insistimet e tyre, ende nuk u është vënë në dispozicion drafti që do të kalojë për miratim”, - u shpreh Gjoni. Sipas deputetit Gjoni, me kalimin e draftit në Kuvend, Berisha po kërkon të hakmerret ndaj drejtorit të SHISH-it, i cili ka paraqitur një raport realist në Komisionin e Sigurisë, kryesisht për luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve e korrupsionit. “Ai, me sa duket, mendon ta realizojë këtë synim nisur edhe nga fakti se tashmë vëmendja e partnerëve ndërkombëtarë, në gjykimin e tij, mund të jetë e shpërqendruar për më tepër kur disa prej përfaqësuesve diplomatikë largohen nga vendi në përfundim të mandatit. Ai gjithashtu shpreson se pushimet që do të pasojnë do ta davarisin vëmendjen”, - u shpreh Gjoni.
Kontestimet
Drafti për SHISH-in ka hasur në mjaft kundërshtime. Ndryshimet që u kërkuan të bëhen në projektin e miratuar nga qeveria prekin katër nene të ligjit aktual. Ato kanë të bëjnë me: detyrat e Shërbimit Informativ Shtetëror; me detyrat e drejtorit të SHISH-it; me afatin e qëndrimit në detyrë të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it; si dhe me bashkëpunimin e SHISH-it me shërbimet e informacionit të vendeve partnere. Kundërshtimet e ndërkombëtarëve nisin që me mandatin 5-vjeçar të drejtuesit të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe deri te format e reja të varësisë që propozon projektligji. Midis të tjerave, ndryshimet në këtë ligj zhvlerësojnë firmën e Presidentit të Republikës në emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it. Kjo për faktin se propozimet e kryeministrit, para se t’i dërgohen Presidentit, do të marrin miratimin e Kuvendit. Pasi propozimet marrin miratimin e Kuvendit, atëherë situata bëhet e vështirë për Presidentin që të mos i miratojë emrat e propozuar nga kryeministri, të cilët gëzojnë mbështetjen e shumicës parlamentare, ndaj dhe firma e tij kthehet në një procedurë formale të parëndësishme. Po kështu, projekti parashikon kufizimin e mandatit të drejtuesve të SHISH-it deri në 5 vjet me të drejtën e riemërimit për një mandat të dytë.
Cilat ishin propozimet e mëparshme të PS-së për SHISH-in
1. Amendamenti i nenit 3, ku SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbrojë sigurinë kombëtare, është i gabuar dhe antikushtetues, pasi këtij shërbimi nuk i jepen mjete ligjore për një funksion të tillë.
2. Amendamenti tjetër i këtij neni, ku SHISH-i mbledh informacion për njohjen, zbulimin dhe parandalimin e korrupsionit të personave që ushtrojnë funksione publike, është i panevojshëm, pasi ligji ekzistues nuk e pengon këtë shërbim të mbledhë informacion dhe të informojë për këtë lloj të veprimtarisë kriminale. Një shtesë e tillë e deformon objektin e punës së SHISH-it.
3. Propozimi tjetër për t’u shtuar në paragrafin C të këtij neni, se SHISH-i ngarkohet me detyrë të mbështesë veprimtarinë e forcave policore dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin e krimeve të rënda, është edhe më i panevojshëm, formal dhe me pasoja negative. Ai synon ta vendosë SHISH-in në varësinë e Policisë.
4. Është absurde edhe shtesa në paragrafin D, ku SHISH-i ngarkohet të mbledhë, me miratim të kryeministrit, informacion për shërbimet e inteligjencës së shteteve të tjera.
Ky propozim e komprometon rëndë pozitën e kryeministrit, pasi ai kërkon të marrë kompetencat e drejtorit të SHISH-it.
5. Amendamenti ku SHISH-it i ngarkohet detyrë të certifikojë personat sipas përcaktimeve ligjore, është shumë i përgjithshëm, lë vend për interpretim të zgjeruar, bie ndesh me ligjin “Për informacionin e klasifikuar”, si dhe krijon paqartësi në shërbim, në publik dhe administratë.
6. Është i paargumentuar dhe i pavend edhe amendamenti i bërë në nenin 5, paragrafi A, ku drejtori i SHISH-it është përgjegjës për operacionet e Shërbimit Informativ të Shtetit. Formulime të tilla, përveç të tjerash, tregojnë edhe inkompetencë të theksuar profesionale të hartuesve të këtij projekt ligji. Termi “operacion” për SHISH-in nuk është ligjor.
7. Vendosja e afatit të qëndrimit në detyrë prej pesë vjetësh, me të drejtë rizgjedhjeje edhe një herë, të drejtorit dhe zëvendësdrejtorit të SHISH-it, tregon qëllimin e vetëm dhe të vërtetë të këtij projektligji në plotësim të dëshirave të z. Berisha. Ai, edhe në bazë të ligjit aktual, i ka të gjitha të drejtat për të ndërprerë qëndrimin në detyrë të drejtorit të SHISH-it dhe zëvendësit të tij.
.
13 Korrik 2010