PD-ja rrëzon Muçmatën në Komision, i kundërpërgjigjet Topit
Eljona Ballhysa
Deputetët demokratë në Komisionin Parlamentar të Çështjeve Ligjore rrëzuan dje një tjetër kandidaturë të Presidentit të Republikës për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Dekreti i firmosur nga Topi, që mban emrin Vexhi Muçmata, mori dje në Komision votat kundër të PD-së, votën pro të deputetit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Nasip Naço, ndërkohë që deputetët socialistë mungonin në mbledhjen e Komisionit. Por, gjatë kësaj mbledhjeje, ndërsa kanë shpjeguar arsyen e rrëzimit të kandidaturës duke u shprehur se kandidati Muçmataj ka integritet të cenuar moral dhe profesional, i kanë kthyer përgjigje kreut të shtetit. Deputeti demokrat Fatos Hoxha, gjatë fjalës së tij, e falënderoi presidentin Topi për urimin e bërë pak ditë më parë kundrejt Kuvendit për metodologjinë rigoroze të shqyrtimit të dekreteve të tij dhe e garantoi atë se në të njëjtën mënyrë Kuvendi do të shqyrtojë të gjitha kandidaturat, edhe ata që do të dërgohen për dekretim nga kreu i shtetit.
Relacioni
Relacioni për dekretin Muçmataj u lexua nga demokrati Viktor Gumi, i cili i sugjeroi Komisionit ta rrëzojë këtë kandidaturë duke e cilësuar atë me mangësi dhe me integritet të cenuar moral dhe profesional. “Në CV-në e kandidatit, të ardhur me dekretin e Presidentit të Republikës, është fshehur një anë e rëndësishme e edukimit të tij të lartë, posaçërisht përfundimi i shkollës së lartë së Ministrisë së Brendshme. Fshehja e CV-së së plotë para Komisionit dhe Kuvendit përbën një handikap të papranueshëm. Në kushtet kur Kuvendi ka bërë publik qëndrimin jotolerues ndaj individëve që kanë shërbyer si vegla të ndëshkimit politik në regjimin komunist, kjo gjë cenon drejtpërdrejt kriterin e integritetit moral të kandidaturës”, - u shpreh Gumi. Më tej të relacion Gumi ka vënë në dukje se Muçmata ka punuar në vitet e regjimit komunist si hetues, madje dhe në çështje me karakter politik. Gumi ka sjellë në vëmendjen e Komisionit të Ligjeve çështje konkrete të hetuara nga kandidati Muçmataj. Në relacion Gumi vë në dukje se kandidati Muçmataj nuk i është përgjigjur pyetjeve të deputetëve demokratë nëse ka marrë pjesë në hetime me karakter politik, duke u shprehur se nuk e mban mend një gjë të tillë. Më tej, Gumi, në emër të PD-së në Komisionin e Ligjeve ka vlerësuar se gjatë përgjigjeve të tij, kandidati Muçmataj nuk paraqiti ndonjë kontribut konkret në sistemin e drejtësisë, gjë që cungon edhe integritetin profesional. Komisioni i Ligjeve shprehu pakënaqësi edhe për atë që e quajti mungesë transparence dhe sinqeriteti të kandidatit në shpjegimin e dhënë për pasuritë e tij në shuma të konsiderueshme. “Kriteri moral i vlerësimit të një kandidature në Kuvend kërkon që kandidati të dëshmojë transparencë financiare. Nga pyetja që iu bë kandidatit dhe përgjigjja që u dha në Komision, gjatë seancës dëgjimore, konstatohet se kandidaturës i mungon respektimi i këtij detyrimi. Besimi te ky kandidat në integritetin moral dhe profesional vlerësoj se është i mangët dhe ai nuk përbën kandidaturën e përshtatshme për të dhënë pëlqimin e Komisionit dhe më pas të Kuvendit për detyrën madhore të gjykatësit të Lartë”, - është shprehur Gumi. Në përfundim, anëtarët demokratë në Komisionin e Ligjeve votuan pro propozimit për të rrëzuar kandidaturën e Muçmatës në Kuvend.
Kundërpërgjigja
Por, gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit të Ligjeve demokratët nuk hezituan t’i kthejnë përgjigje kreut të shtetit, Bamir Topi. Vetëm pak ditë më parë, i pyetur nga mediat se cili ishte komenti i tij në lidhje me rrëzimin e dekreteve nga maxhoranca, Topi u shpreh se vlerëson metodologjinë rigoroze të ndjekur nga Kuvendi për shqyrtimin e kandidaturave të propozuara nga institucioni i Presidentit. Madje ai shtoi se edhe institucioni i Presidentit do të marrë shembull nga kjo praktikë rigoroze e shqyrtimit të kandidaturave që do të vijnë nga institucionet e tjera, duke nënkuptuar në këtë rast institucionin e Kuvendit. Dje, në Komisionin e Ligjeve, deputeti Hoxha falënderoi kreun e shtetit për vlerësimin dhe garantoi se në këtë mënyrë do të shqyrtohen të gjitha kandidaturat, edhe ato që do t’i dërgohen Presidentit për dekretim nga Kuvendit. “Nëpërmjet këtyre seancave dëgjimore që kemi zhvilluar me kandidaturat për postet e rëndësishme të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Kuvendi dhe Komisioni i Ligjeve ka vendosur një standard të lartë që do t’i shërbejnë arkivit të Kuvendit. Unë desha të theksoj se çdo kandidaturë që do t’i dërgohet në të ardhmen kreut të shtetit do të diskutohet me transparencë të plotë dhe me seriozitetin e duhur. Ne do të tregojmë po të njëjtin kujdes siç po tregojmë në rastin e këtyre kandidaturave dhe do t’i analizojmë me rigorozitet. Pasi ne po kërkojmë që nëpërmjet kësaj procedure, se duam të ndërtojmë shtetin ligjor, shtetin e së drejtës, ku ligji dominon. Ndaj dua të falënderoj Presidentin e Republikës për urimet që na bëri për punën tonë”, - është shprehur deputeti Hoxha.
Deputetët demokratë, vetëm një javë më parë rrëzuan në Kuvend kandidaturën e Sokol Çomos për anëtar të Gjykatës së Lartë, ndërsa votuan atë të Medi Bicit.
13 Korrik 2010