E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr pjese ne festen e fondacionit Domenick Scaglione

Kryeministri Sali Berisha merr pjesë në inaugurimin e qendrës për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve qe vuajnë nga Autismi dhe ka falenderuar aktivizimin e qendrës “Domenick Scalglione” dhe të presidentes së saj, për tërheqjen e vëmendjes së shoqërisë, ndaj këtij problemi kaq jetik për shëndetin e fëmijëve


Kryeministri Berisha mori pjesë sot paradite, në inaugurimin e qendrës “Fluturo për jetën”, qendër e cila do të shërbejë për diagnostikimin dhe trajtimin e fëmijëve qe vuajnë nga Autismi. Kjo qendër është mundësuar nën kujdesin e veçantë të Fondacionit të Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione”, të kryesuar nga bashkëshortja e Kryeministrit, znj. Liri Berisha dhe është kompletuar me të gjitha pajisjet e nevojshme nga prof. Giovani Bocchiotti, specialist i kirurgjisë plastike dhe rikonstruktive, në universitetin e Torinos. Qendra që po inaugurohet, do t’u shërbejë fëmijëve me vështirësi zhvillimi, e veçanërisht atyre me Autizëm. Në këtë qendër do punojnë një staf mjekësh, psikologë, logopedistë, terapeftë të specializuar dhe liçensuar në vende si Kanada, SHBA, Francë, Itali e Shqipëri. Kryeministri Berisha vlerësoi ngritjen e kësaj qendre, si një nevojë dhe domosdoshmëri jetike për këta fëmijë, duke theksuar se harresa e institucioneve dhe gjithë shoqërisë ndaj problemit të autismit është e pafalshme. Ai përgëzoi Fondacionin e Fëmijëve Shqiptarë “Domenick Scaglione” për sjelljen në vëmendjen të këtij problemi, si dhe gjithë profesorët dhe donatorët që mundësuan hapjen e qendrës. Ndërsa znj. Berisha, në fjalën e saj, u shpreh se përmes kësaj qendre, Fondacioni synon të japë shpresë dhe besim për ato familje që i kanë sytë dhe shpresat e varura për fëmijët e tyre me problemin e autismit. Ajo theksoi se “do të përpiqemi bashkërisht për t’ju sjellë çdo gjë të re që studiuesit do nxjerrin për trajtimin e autismit dhe se kjo qendër do jetë vendi i duhur për t’u përpjekur”. Kryeministri Berisha, në fjalën e tij, u shpreh: “Së pari, dëshiroj të shpreh kënaqësinë që nisim sot festën e fëmijëve me një vëmendje të veçantë ndaj atyre që meritojnë më shumë, ndaj fëmijëve në nevojë. Por, shfrytëzoj rastin të përgëzoj dhe të falënderoj Presidenten e Fondacionit “Fëmijët e Shqipërisë” dhe bashkëpunëtorët e këtij fondacioni, të gjithë sponsorizuesit e tij, që arritën të përqendrohen, fatkeqësisht për ne, në një problem të harruar dhe të injoruar. Është e pafalshme harresa e shoqërisë në tërësi ndaj këtij problemi. Por Fondacioni e solli në qendër të vëmendjes këtë problem, të cilin sa më shumë ta vështrosh dhe ta trajtosh, konstaton se përmasat e tij janë shumë të gjera. Ky është një fillim shumë i mirë. Fondacioni këtë vit ka bërë një punë të admirueshme dhe hap sot këtë qendër, që është rezultat edhe i përkushtimit të Fondacionit dhe bujarisë së donatorëve të shumtë që kanë kontribuar në ngritjen e tij. Dua t’i shpreh një mirënjohje shumë të thellë mikut tim dhe të gjithë shqiptarëve, Profesor Giovani Bocchiotti, i cili me ndjenjat më të thella humane dhe me përkushtimin më të madh, ka vendosur në dispozicion të këtij Fondacioni, gjithçka ka pasur në institucionin e tij në Torino. Dua të falënderoj profesor Anastas Prof.Anastas Sulin dhe ekipin e tij të cilët, me shumë përkushtim, u angazhuan për rezultate konkrete në punën me autismin. Një mirënjohje të thellë për të gjithë donatorët, të cilët kanë bërë dhurata shumë të rëndësishme dhe që bënë të mundur hapjen e kësaj qendre dhe që gradualisht do të realizojnë edhe ndërtimin e një qendre të re, në shërbim të fëmijëve në nevojë. Dua të falënderoj bashkëpunëtorët e Presidentes së Fondacionit, të cilët edhe duke qenë të fushës së shëndetësisë, me vullnetarizmin e tyre bënë të mundur hapjen e kësaj qendre. Së fundi, dua të falënderoj Presidentet e Fondacionit, e cila bëri këtë përzgjedhje të rëndësishme. Gjatë këtyre 2 viteve të fundit, në bisedat tona familjare, kjo ka qenë një temë e përditshme. Me sinqeritet ju them se, si një mjek i cili kam rreth 20 vjet që jam shkëputur nga profesioni im, ishte Lili ajo që udhëhiqte dhe insistonte në këtë problem të fëmijëve, duke e ridimensionuar atë në mënyrë shumë të ndjeshme. Edhe njëherë, shpreh një mirënjohje shumë të thellë për të gjithë ata që bënë të mundur funksionimin e kësaj qendre aq të nevojshme”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›