Berisha merr pjesë në mbylljen e bursës NASDAQ
Vizita në SHBA e Kryeministrit Sali Berisha është shoqëruar me takime mjaft intensive. Dje, Kryeministri ka qenë i ftuar special në ceremoninë e mbylljes së bursës ditore të Nju Jorkut, NASDAQ, në "Times Square". Gjatë kësaj ceremonie që tashmë është kthyer në një aktivitet tradicional dhe mjaft popullor për Nju Jorkun, Kryeministri Berisha u prit nga zëvendëspresidenti i NASDAQ, i cili e shoqëroi shefin qeverisë shqiptare në ambientet ku kjo ceremoni zhvillohet. Gjatë ceremonisë u shfaqën pamje sugjestive nga vendet më të bukura dhe panoramike të Shqipërisë, si dhe një dokumentar i shkurtër mbi vendin tonë. I gjithë aktiviteti, ndërkohë që zhvillohej, transmetohej në kohë reale në "NASDAQ Tower" dhe shikohej nga qindra e qindra qytetarë, të cilët ndodheshin aty me këtë rast, me kërshërinë për t‘u njohur më nga afër me këtë vend kaq larg SHBA-së. Përshëndetja e Kryeministrit Berisha përmes stacionit televiziv të NASDAQ u transmetua në kohë reale në televizionet e profilizuara ekonomike më prestigjioze si CNBC, Bloomberg, FOX Business. Po dje, Kryeministri Berisha ka marrë pjesë edhe në samitin "Global Creative Leadership", në Nju Jork, organizuar nga fondacioni "Louise Blouin", me partneritetin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe "Financial Times". Ky fondacion prestigjioz bazohet në dy fusha kryesore, të inkurajojë një mirëkuptim dhe bashkëpunim më të mirë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në fushën kulturore përmes një veprimi të përbashkët ndërkombëtar dhe përmes një dialogu të vazhdueshëm dhe të hapur, si dhe për të promovuar idetë dhe kreativitetin drejt një njohjeje më të mirë të vendeve dhe humanitetit. Në takimin përpara fillimit të Samitit, Kryeministri Berisha e njohu zonjën Blouin me përpjekjet e qeverisë shqiptare për një reformë të thellë e të gjithanshme për përhapjen në vend të teknologjisë së informacionit. Kryeministri Berisha ka zhvilluar takime dje edhe me fituesin e çmimit "Nobel" Mohammad Yusuf, personalitet i njohur ne botën e financës dhe me kryeministrin e Malit të Zi Milo Djukanovic ku me këtë të fundit ka diskutuar për bashkëpunimin ekonomik ndërmjet të dy vendeve.
E.Gj.
E.Gj.