"Mbështesim zgjerimin e BE-së"
Ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Fiona McIlëham, i është përgjigjur dje nga Vlora, interesimit të medias për hyrjen e Shqipërisë në BE, si dhe problematikave që shqetësojnë sot organizmin europian. Ambasadorja foli në Universitetin Veror të përvitshëm KRIIK dhe titulli i fjalimit të saj ishte "Zgjerimi i BE-së në vitin 2009: Një perspektivë britanike". Gjatë leksionit të saj, ndër të tjera, ambasadorja tha se "ne si Britani e Madhe jemi të gatshëm të ndihmojmë vendet e rajonit dhe jemi të angazhuar që të tjerët të ndjekin hapin tonë. BE vijon të tërheqë një gamë të gjerë njerëzish, çka është reflektuar në vite gjatë zgjerimit të saj që pas vitit 1973". E ardhmja juaj, tha ambasadorja, është ecja drejt këtij bashkimi. "Për këtë është i nevojshëm respektimi i disa rregullave strikte, siç janë respektimi i të drejtave të njeriut, e respektimi i të drejtave të tjera demokratike. Por hyrja në Bashkimin Europian nuk është kaq e lehtë dhe kriter për këtë mbetet besueshmëria", theksoi ambasadorja. Vendet anëtare, sqaroi ajo, janë gjithmonë e më të shqetësuara pas problematikave që mund të ketë pasur dhe vala e këtij zgjerimi ka ngushtuar në një farë mënyre rrethin e hyrjes. "Në Shqipëri, forcimi i ligjit është prioritar, si edhe në gjithë rajonin, të tilla janë edhe reformat juridike e sociale. Këto reforma duhet të krijohen nga vetë vendet e në këtë drejtim e ardhmja e Europës duket premtuese", nënvizoi diplomatja britanike. Duke vijuar leksionin e saj, diplomatja nuk anashkaloi as zhvillimet politike në Shqipëri. Referuar qeverisë Berisha- Meta, ajo tha se deklarimet e tyre mbi liberalizimin e vizave dhe plotësimin e kushteve të tjera për anëtarësimin në BE janë pozitive. Por, shtoi ajo, i rëndësishëm është rikthimi i tyre në veprime të vërteta dhe janë të gjitha gjasat që ata ta bëjnë një gjë të tillë. "Të gjitha palët janë të angazhuar, por hedhja në veprim është shumë më e vështirë se fjalët", nënvizoi ambasadorja. Në lidhje me zgjedhjet, britanikja tha se BE priti raportin e OSBE/ODIHR-it, si do i shikonin ata këto zgjedhje. "Zgjedhjet u monitoruan dhe OSBE bëri një deklarim për këtë. Ato treguan se ka ende për t‘u përmirësuar, por ODIHR ka dhënë rekomandime, të cilave Shqipëria u është përgjigjur dhe unë e shikoj këtë gjë shumë pozitive", tha ajo. Britanikja nuk dha afate në lidhje me këtë anëtarësim, por kujtoi se do të shihet zbatimi i ligjit, ekonomia dhe elemente të tjera dhe kjo varet nga qëndrimi i Shqipërisë. Duke iu përgjigjur interesimit të medias në lidhje me integrimin e Shqipërisë, përfaqësuesja britanike tha se ky është një proces që kërkon kohë dhe kërkon angazhimin jo vetëm të klasës politike.
M.Marsi
M.Marsi