E Shtunë, 31 Tetor 2026

SHBA, Meta takime me tetë ministra të Jashtëm

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, ka vijuar edhe dje takimet e rëndësishme me personalitete dhe homologë të tij gjatë vizitës në SHBA. Ditë e ngarkuar, sepse Meta ka pritur homologun e tij italian, holandez, hungarez, australian, ukrainas, atë të Salvadorit, Malit të Zi dhe Bahreinit. Gjatë bashkëbisedimit, ministri i Jashtëm italian dhe ai hungarez e kanë siguruar zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Meta, për mbështetjen e vendeve të tyre për procesin integrues të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave. Gjithashtu, çështjen e liberalizmit të vizave Meta e ka diskutuar edhe me homologun, Holandes Maxime Verhagen. Ministri i Jashtëm, Meta, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe me vendet respektive dhe njëkohësisht u kërkoi kolegëve të tij europianë mbështetjen e tyre për aplikimin e Shqipërisë për statusin e kandidatit për anëtar të Bashkimit Europian, si dhe për përfshirjen e Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave të BE-së me vendet e rajonit. Nga ana e tyre, ministrat e Jashtëm i shprehën Metës sigurinë e mbështetjes së vendeve të tyre për procesin integrues të Shqipërisë në BE dhe për liberalizimin e vizave, duke nënvizuar edhe nevojën e përmbushjes së kushteve teknike, në kuadrin e këtij procesi. Ministri italian, Fratini, u shpreh optimist për marrjen, brenda këtij viti, të vendimeve të rëndësishme e pozitive të BE-së, lidhur me Shqipërinë. Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Balazh, ofroi ndihmën e vendit të tij në arritjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, duke ofruar asistencë në fushën e menaxhimit të kufirit, ku vendi i tij ka eksperiencë të pasur. Në takimet me ministrat e Jashtëm të Bahreinit, Ukrainës e Salvadorit, biseda u përqendrua kryesisht mbi zhvillimet në Kosovë dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe. Zv/kryeministri Meta mori dje mesazhe urimi për detyrën e re nga: Britania e Madhe, Rusia, Danimarka, Çekia, Maqedonia, Kina dhe Egjipti.

E.Gj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›