Berisha merr titullin “Qytetar Nderi” i Kamzës
Bashkia e Kamzës i akordon kryeministrit Sali Berisha titullin “Qytetar Nderi”. Përmes një votimi të mbështetur nga këshilltarët e djathtë, në maxhorancë, në këshillin bashkiak, kreu i qeverisë ka marrë titullin me motivacionin për kontributin e tij në zhvillimet demokratike gjatë 19 viteve në Shqipëri, si dhe për angazhimin e veçantë që Berisha ka treguar dhe po tregon për të ndihmuar në zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Bashkisë së Kamzës dhe përmirësimin e jetesës së qytetarëve të saj. “Dëshiroj të theksoj se vendimi për t’i dhënë zotit Sali Berisha titullin “Qytetar Nderi” i Kamzës është miratuar nga të gjithë anëtarët e Këshillit Bashkiak, pa asnjë dallim politik e partiak. Si kryetar i Bashkisë, dua të përshëndes vendimin e këshilltarëve dhe në mënyrë të veçantë votën “pro” që këshilltarët e Partisë Socialiste dhanë për ta nderuar Kryeministrin Berisha me titullin “Qytetar Nderi” i Kamzës”, nënvizoi kreu i Bashkisë së Kamzës Xhelal Mziu. Por pas votimit kanë reagur edhe këshilltarët e majtë në këshillin bashkiak të Kamzës. Ilirjan Ismailaj, kryetar i këshilltarëve socialistë, tha në një prononcim për gazetën se “Nuk ka votuar pro asnjë nga këshilltarët socialistë, gjithçka ka ndodhur në mungesë të plotë transparence”. Bashkia e Kamzës konsiderohet një zonë bastion i Partisë Demokratike në të gjitha zgjedhjet e zhvilluara deri tani. Në procesin e fundit elektoral, atë të 28 qershorit Partia Demokratike ka marrë 14.014 vota, kundrejt 7821 vota që ka marrë Partia Socialiste. Diferenca prej 6200 votash ndikoi në marrjen e një deputeti më shumë nga ana e PD-së në qarkun e Tiranës.