E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjosa përmbyt fshatrat, ujërat arrijnë 2 metër

 VLORE/ FIERVjosa përmbyt qindra shtëpi në Vlorë dhe Fier. Më problematike janë fshatrat e Novoselës si dhe të komunave Frakull e Kafaraj në Fier. Mëngjesin e djeshëm, rreth 100 banesa në këto zona janë gdhirë nën ujë, ndërsa qindra hektarë tokë dhe të mbjella ndodhen ende të përmbytura. VLORELumi doli jashtë kontrollit gjatë orëve të natës e për pasojë, fshatrat Bishan dhe Fitore të komunës Novoselë u përmbytën. Uji në disa vende arriti deri në 2 metra, ndërsa në disa të tjera në 1.5 metra. Banorët e zonës së Bishanit u shprehën se atyre u janë përmbytur pothuajse të gjitha shtëpitë. Shumë prej tyre janë ngjitur në çatitë e shtëpive për t'i shpëtuar rrezikut. Shumicës së fshatarëve u janë përmbytur të mbjellat, si dhe ushqimi i thatë për bagëtitë. Disa familjeve iu mbytën edhe disa krerë bagëtish. Banorët nuk kanë mundur t'i shpëtojnë, pasi niveli i ujit sa vinte e rritej dhe ata mund të rrezikonin jetën e tyre. Sipas prefektit të Vlorës Hasan Halili, situata është përkeqësuar rreth orës 21:00 të së hënës kur lumi i Vjosës ka filluar të fryhet. Më pas, në mesnatë ka plasur një nga argjinaturat e saj. Kryetari i komunës Novoselë, Rahit Llanaj, u shpreh se në zonën e Bishanit janë përmbytur 70 shtëpi. Përmbytjet në të kanë ardhur dhe për shkak të punimeve të autostradës Levan-Vlorë, të cilët kanë prishur një argjinaturë kryesore ku lumi kalon. Dje në Vlorë mbërritën për të parë nga afër situatën ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, ministri i Bujqësisë Genc Ruli, si dhe deputeti Dashamir Tahiri. FIERDalja nga shtrati e lumit Vjosë ka përmbytur një pjesë të mirë të territorit të komunës Frakull, përfshi këtu edhe zonën e Kafarajt në të cilën ndodhen edhe 12 puset, të cilat bëjnë furnizimin me ujë të gjithë qytetit të Fierit. Drejtoria e Shëndetit Publik hodhi alarmin për qytetarët, të cilët momentalisht nuk duhet ta konsumojnë ujin, i cili është tejet i ndotur. "Kjo gjendje mund të vazhdojë deri në momentin që i gjithë tubacioni përcjellës të jetë pastruar", u shpreh specialisti i Higjienës, Nuredin Kallashi. Për të parë nga afër dëmet e shkaktuara në zonën e përmbytur nga lumi Vjosë, mbërriti dje edhe drejtor i Shtabit të Emergjencave Civile, Alfred Olli. Reshjet e dy ditëve të fundit dhe dalja nga shtrati i lumit kanë sjellë përmbytjen e shumë hektarëve tokë bujqësore, ku pjesa dërrmuese e tyre ka qenë e mbjellë me grurë. Sipas prefektit Bujar Hasa, mendohet se mund të jenë përmbytur rreth 510 ha tokë bujqësore dhe 30 shtëpi të fshatit Ferras.      q.b/m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›