E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Berisha dhe Rama, dialog për taksat vendore

 Zëvendëskryeministri Ilir Meta ripërsërit edhe një herë kërkesën për dialog mes liderëve të PD-së dhe PS-së për të zgjidhjen e përplasjeve që ka maxhoranca dhe opozita. “Unë kam qenë dhe jam për një dialog konstruktiv. E konsideroj dialogun të domosdoshëm për çdo çështje dhe absolutisht për të vlerësuar çdo kërkesë legjitime të opozitës dhe të lidershpit të saj. Por në një vend demokratik, opozita nuk mund të marrë as atributet e shumicës së parë, e së dyti, as opozita dhe qeveria nuk mund të shkelë mbi pavarësinë e gjykatave, përndryshe ne minojmë atë parim themelor për shtetin e së drejtës, që është në radhë të parë ndarja e pushteteve, e në mënyrë të veçantë pavarësia e Gjykatave. Qeveria do të jetë e hapur për dialog dhe do të jetë e palëkundur që me opozitën të dialogojë. Besoj se pala tjetër duhet të gjejë forca”, deklaroi Meta për “News 24” në emisionin e gazetarit Ilir Babaramo. Kreu i LSI-së theksoi se kemi nevojë për një normalitet të debatit. “Kemi nevojë për  debate mbi ide për propozime konkrete. Për shembull rasti i djeshëm që zoti Berisha reflektoi pasi ishte një nga kërkesat e komunitetit të kryetarëve të bashkive, që të mos ulej nga 8 milionë lekë të reja në 5 milionë lekë TVSH-ja për biznesin e vogël, është një hap pozitiv. Unë e kam parë dy herë zotin Rama para Kryeministrisë, për një sërë çështjesh që i takojnë pushtetit vendor. Mendoj se do të ishte më mirë që kjo të zgjidhej më mirë me një takim mes zotit Berisha, zotit Bode dhe zotit Rama dhe ndonjë tjetri. Dhe zoti Berisha ka qenë i hapur përherë për të diskutuar këto çështje se sa thjesht synohet një show para zyrave”,- tha Meta. Ndërkohë, zëvendëskryeministri u takua dje me përfaqësues politikë të komunitetit serb në Kosovë, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, Kryetar i Partisë Liberale Serbë në Kosovë, Sllobodan Petroviç, në kuadrin e një vizitë në Tiranë, me ftesë të ministrit të Jashtëm Shqiptar. Pjesë e delegacionit ishin edhe Ministri për Kthime dhe Komunitete, Sasha Rashiç, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiç dhe Kryetari i sapozgjedhur i Komunës së Graçanicës, Bojan Stojanoviç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›