E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr titullin "Qytetar nderi i Prizrenit"

Kryeministri Berisha ka marrë titullin “Qytetar nderi i Prizrenit” në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë. Në Prizren Berisha deklaroi se Shqipëria dhe Kosova duhet të kapin kohën e humbur drejt integrimit europian dhe gjithashtu vlerësoi kontributin historik të Prizrenit. 

PRIZREN-Kryeministri Sali Berisha mori sot titullin "Qytetar nderi i Prizrenit", në një ceremoni solemne të zhvilluar në komunën e këtij qyteti historik dhe kulturor, vetëm 18 kilometra nga kufiri shqiptaro-shqiptar në Vermicë-Morin. Ky titull iu dorëzua Berishës nga kryetari i komunës kosovare, Ramadan Muja, i cili e konsideroi si vendimtar kontributin e z. Berisha në çështjen e Kosovës. "Ju ndihmuat për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe kontribuat për njohjen e shtetit tonë në gjithë botën.”- tha Muja. PërKryeministrin e Shqipërisë, ky është titulli i tretë i marrë gjatë vizitës në Kosovë, "Medalja e Artë e Lirisë", akorduar nga Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe "Honoris Causa" , akorduar nga Universiteti i Prishtinës. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri Berisha u ndal tek roli i Prizrenit në historinë e kombit shqiptar.
"Prizreni është i lashtë sa vetë lashtësia e kombit, por ruan në të gjitha kohërat identitetin kombëtar. Këtu në Prizren, shqiptarët kanë edhe një tempull tjetër, universitetin e lirive dhe të drejtave njerëzore", vijoi Kryeministri Berisha, duke nënvizuar se në Prizren u themelua edhe njëherë përpjekja e re shqiptare për bashkim, për liri dhe pavarësinë e Kosovës", tha Kryeministri Berisha. Për Berishën kjo ishte vizita e parë në Kosovë që pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008. Vizita e Kryeministrit nisi me një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Thaçi Thaçi, ku u nënshkruan dhe 6 marrëveshje bashkëpunimi. Më pas, ai pati një takim dhe një konferencë të përbashkët për shtyp me Presidentin Sejdiu, ndërsa mbajti një fjalë përshëndetëse në Kuvendin e Kosovës. Axhenda e Kryeministrit vijoi me një takim me përfaqësuesit e biznesit, me një homazh në vendin ku prehet ish-Presidenti Ibrahim Rugova, me përfaqësuesit e partive parlamentare në Kuvendin e Kosovës dhe minoriteteve. Sot në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Kryeministri Berisha udhëtoi në Prekaz, ku zhvilloi homazhe në varret e heronjve Shaban Palluzha dhe Adem Jashari dhe një vizitë në kullën e këtij të fundit. Ai u takua me përfaqësuesin e BE, z. Pieter Feith dhe Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Gjeneral Leitnant Markus Bentler, për të zhvilluar më pas një vizitë në monumentin “New Born”, në Prishtinë.
(m.a/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›