Berisha, mesazh opozitës: Gëzuar Shën Valentinin
Kryeministri
Kryeministri Berisha uroi dje për herë të parë gjatë kohës që qëndron në detyrën e Kryeministrit, festën e Shën Valentinit, për të gjithë të dashuruarit. Me anë të një njoftimi për shtyp, Berisha fillimisht uroi për këtë ditë të rinjtë dhe të rejat në vend. Por sipas Berishës, kjo ditë nuk mund të kufizohet, por është një ditë kur triumfon dashuria për njeriun. “Ju uroj ditën e dashurisë për njeriun ndaj njeriut, për të dashurit e të dashurat, për fëmijët, për nënën dhe babain, motrën dhe vëllain, mikun, shoqen dhe shokun e dashur”, thuhet në këtë urim të tij. Sipas Berishës, në këtë ditë, të gjithë duhet të nderojnë njëri-tjetrin, të nderojnë dashurinë e pashtershme njerëzore dhe vlerat e saj universale, forcën e saj të magjishme dhe transformuese, burim i mirësisë së njeriut.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike preferoi që urimin për Shën Valentinin t’ia japë në veçanti opozitës. Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli, deklaroi se ishte e udhës që opozita sot të festonte dhe jo të shpallte datën e protestave. “Këtë ditë na duhet të shprehim keqardhjen se drejtuesit e opozitës shqiptare në vend që t’ia kushtonin të dashurave dhe të dashurve të tyre sërish ia kushtuan kryetarit të Partisë Demokratike dhe në vend të dashurisë së njeriut për njeriun, zgjodhën Shën Valentinin për të shpallur protestat”, theksoi ajo. Mëhilli, në emër të kryetarit të Partisë Demokratike, iu uroi drejtuesve të opozitës shqiptare më shumë dashuri për njëri-tjetrin, për të dashurat dhe të dashurit e tyre.
Një qëndrim i tillë duket se nuk i shërben aspak klimës së negociatave që synojnë zgjidhjen e krizës politike në vend. Ndonëse dy ditë më parë Sali Berisha dhe Edi Rama ishin së bashku në tryezën e Presidentit Bamir Topi, konferencat e shtypit dhe ironitë reciproke nuk është e thënë të mbarojnë. Loja e nervave duket se do të shoqërojë dy kampet deri në përfundimin e tryezës së negociatave. Selia rozë është rezervuar dje në kundërpërgjigje ndaj deklaratave të shumicës për Shën Valentinin, duke u mjaftuar me një përgjigje ndaj zëvendëskryeministrit Ilir Meta dhe qëndrimeve të tij publike.
#