Meta: Bojkoti të marrë fund pa hapje kutish
Zëvendëskryeministri komenton krizën politike gjatë vizitës në Slloveni
Zëvendëskryeministri Ilir Meta është shprehur gjatë vizitës së tij në Slloveni se kriza politike në Shqipëri duhet të marrë fund. Në vlerësimin e tij, Partia Socialiste duhet t’i japë fund bojkotit, por pa u hapur kutitë. Meta, i pyetur nga mediat vendase, bëri vlerësimin e tij për bojkotin e opozitës, duke kufizuar optimizmin e tij për zgjidhjen e krizës brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese. Ndërkohë që pas kësaj deklarate reagoi menjëherë selia rozë përmes deputetes Ermonela Felaj, e cila i kujtoi Metës se vetëm para disa muajsh akuzonte Berishën për vjedhje votash.
Meta
Ndërkohë, sipas njoftimeve zyrtare, Meta pati takime me kryetarin e Parlamentit slloven, homologun e tij, si dhe Presidentin Danilo Turk. Presidenti Türk u shpreh se përkushtimi politik i Sllovenisë ndaj Shqipërisë do të mbetet i fortë dhe se ky përkushtim duhet të konkretizohet tashmë edhe në terma ekonomikë. Në këtë kuadër, dr. Türk kujtoi se hapja e një kompanie në Shqipëri, pak kohë pas vizitës së tij në Tiranë, u ka dhënë një sinjal të fuqishëm edhe investitorëve të tjerë sllovenë për Shqipërinë. Dr. Türk theksoi nevojën e intensifikimit të kontakteve mes ministrive relevante, me qëllim që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve të jetë më konkret dhe më real. “Në këtë drejtim, tha dr. Türk, ne duhet të punojmë pa u lodhur, në mënyrë që bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve tona të hyjë në një fazë të re intensifikimi”. Z. Meta vlerësoi se Shqipëria dhe Sllovenia ndajnë një njohje të mirë të rajonit dhe se të dyja vendet janë faktorë të rëndësishëm stabiliteti. “Shqipëria, shtoi z. Meta, do të vazhdojë politikën e saj konstruktive në rajon, sepse stabiliteti i fqinjëve tanë është një avantazh për ne, duke na e lehtësuar dhe përshpejtuar hyrjen tonë në BE”.
Reagimi
Qëndrimi i Metës mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit dhe fatin e negociatave politike nën monitorimin e kreut të shtetit solli reagimin e Partisë Socialiste. “Ilir Meta ishte ai që lëshoi ulërimën më të madhe pas zgjedhjeve për vjedhjet e Saliut dhe pastaj u bë pulë sa u fut në kotecin e qeverisë. S’ka asgjë më qesharake që po kjo pulë e majmur ndjeshëm nga shitja e votave opozitare për një karrige, të bëjë edhe gjelin, duke kënduar majë karriges refrenin e Saliut për moslejimin e transparencës”, theksoi deputetja Felaj. Ne, tha ajo, nuk kemi punë me gjykatat, por me të drejtën për të hetuar. “Një Parlament që nuk ka kurajë të respektojë të drejtën tonë kushtetuese, duhet të shpërndahet”, këmbënguli Felaj.
#