70-vjeçari digjet në banesë nga një cigare
Vlorë
Një 70-vjeçar, banues në qytetin e Vlorës, është gjetur i vdekur pas shkrumbimit të banesës së tij në lagjen “Isa Boletini”. Haxhi Myftari banonte vetëm, pas humbjes pak muaj më parë të bashkëshortes dhe largimit të djalit të vetëm në emigracion. Ai banonte në katin e katërt, të një pallati katërkatësh. Pasi kanë nisur flakët, i moshuari ka tentuar të dalë nga banesa, por e kanë lënë fuqitë. Ai ka pasur në trup djegie të shkallës së tretë, në masën 80%, ndërkohë që vdekjen ia ka shkaktuar asfiksia. Fqinjët kanë njoftuar policinë dhe zjarrfikësen, që kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje, por ka qenë e kotë, pasi i moshuari kishte ndërruar jetë. Sipas ekspertëve, shkak i zjarrit mendohet të ketë qenë një cigare e ndezur, e cila më pas i ka vënë flakën banesës, një dhomë e së cilës është dëmtuar pjesërisht nga flakët. Një nga banorët e pallatit dhe fqinj me Haxhiun u shpreh: “Ne e ndjemë një erë të rëndë që po dilte nga dritarja e katit të katërt, ku dhe banonte Haxhiu, por nuk na shkoi në mendje se ai do të ishte i djegur. Më vonë, ne lajmëruam policinë dhe zjarrfikësit, të cilët shqyen derën dhe bënë fikjen e zjarrit dhe marrjen e trupit të Haxhiut, i cili ishte pa jetë”. Trupi i pajetë i 70-vjeçarit është çuar në morgun e spitalit rajonal të Vlorës, në pritje që të tërhiqet nga familjarët.
#