Shën Valentini, në krizë
Vëzhgim
Më pak dhurata, më pak lule, çokollata e të linjta në ditën e festës së të dashuruarve
Kriza ekonomike, rritja e euros, shkurtimet e vendeve të punës, të gjitha vështirësitë financiare kanë ndikuar edhe në festën e Shën Valentinit, event i “importuar” nga jashtë, por që në vendin tonë po festohet për 20 vite radhazi.
Kryesisht kjo festë është marrë më seriozisht nga moshat e reja, por sigurisht që lulet dhe dhuratat, si për ditë feste, nuk janë këmbyer vetëm mes partnerëve, por edhe mes shoqeve, të afërmve e familjes. Dita e Shën Valentinit këtë herë ka rënë në fund të javës. Kjo ka shkaktuar edhe më pak fluks njerëzish në rrugë, në lokale, restorante e klube. Në këtë ditë gjithmonë shkollat e arsimit parauniversitar kanë kryer mësim me orar të shkurtuar, ndërkohë që këtë vit adoleshentët kanë menduar për ta organizuar ndryshe këtë festë dhe jo për t’i marrë dhuratat me vete në shkollë. Këtë vit në Tiranë dyqanet e luleve kanë pasur punë, por jo sa vitet e tjera. Sipas shitësve të luleve, kryesisht janë blerë trëndafila, lule të kuqe, buqeta të tjera, por ka pasur edhe nga ata që janë mjaftuar edhe me një tufë mimozash apo thjesht edhe vetëm me dy trëndafila.
“Ky San Valentin ka qenë i dobët, blerjet nuk kanë pasur fluks blerjesh, dhuratash. Si në ditët e zakonshme, ashtu edhe në ato të festave, vërehet ulje të blerjeve, kjo krahasuar me vitet e kaluara. Kriza ka prekur dhe festat, edhe Shën Valentinin”, sqaroi Eva, pronarja e një dyqani ku tregtohen të brendshme, parfume dhe bizhu. Ndërkohë që Elida, shitësja e dyqanit, thotë që për çdo Shën Valentin, lule nuk blejnë vetëm të dashuruarit, çiftet, apo bashkëshortët. “Lule u blejnë edhe nënave, edhe vjehrrave, edhe kunatave, edhe shoqet mes tyre. Ndoshta festa e Shën Valentinit konsiderohet si një ditë ku duhen dhënë dhurata mes të afërmve”, thotë Elida.
Ndërkohë që një pjesë e mirë e shqiptarëve tashmë janë ndërgjegjësuar se Shën Valentini nuk është një festë, një ditë, një motiv për të festuar e kujtuar dashurinë. Shën Valentin mund të jetë çdo ditë për gjithsecilin, mund të jetë dita e një përvjetori lindjeje, dita e një propozimi apo dita e një deklarate të fortë dashurie...
çatia e të dashuruarve që pas viteve 1990, për çdo Shën Valentin ka qenë liqeni artificial në kryeqytet. Ndoshta për shkak të kohës, por edhe sepse mund të duket pak i dalë jashtë mode, është braktisur nga shumica e të dashuruarve.
Edhe sepse dje ka qenë fundjavë, ditë e diel, ditë pushimi, por edhe për shkak të festës, mali i Dajtit, xhirot me teleferik, por edhe “lufta” me topat e borës, kanë mbipopulluar pjesën periferike të kryeqytetit. Për më shumë, këtë Shën Valentin nuk kanë munguar edhe festat marramendëse e dhuratat e shtrenjta nga ata që nuk e kanë ndier krizën. Këtë vit agjencitë turistike kanë raportuar udhëtime jashtë shtetit, dhurata e prenotime deri në vendet më ekzotike. Ekstremi tjetër, të varfrit, janë mjaftuar me puthje, përqafime apo dhurata modeste, për të qenë pjesë sado e vogël në “cepin” e festës së të dashuruarve...
#