E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, mesazh urimi Presidentit Barak Obama

Kryeministri Sali Berisha i dërgoi dje një mesazh urimi Presidentit të ri të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama, me rastin e zgjedhjes në këtë post. Në këtë mesazh kreu i qeverisë shqiptare theksoi se vendi i madh i lirisë e bëri ëndrrën amerikane më të vërtetë dhe më reale se kurrë ndonjëherë. Berisha shprehu kënaqësinë e veçantë që, në emrin e tij dhe të qeverisë shqiptare, t’i dërgojë përshëndetjet më miqësore dhe urimet më të përzemërta z. Obama për fitoren historike e spektakolare me datën 4 nëntor 2008, zgjedhjen në postin e lartë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. "Kjo fitore ishte rezultat i fushatës elektorale më të bukur të kohërave, që do të mbetet legjendë në historinë e zgjedhjeve, i mesazheve tuaja që pushtuan mendjet dhe zemrat e qytetarëve të të gjitha moshave e grupeve shoqërore, pa dallim gjinie, race apo prejardhjeje etnike të vendit tuaj", - thekson Kryeministri Berisha. Sipas tij, "zgjedhjet e 4 nëntorit 2008 për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbeten përherë një çast historik për popullin dhe vendin tuaj, por ato kanë një rëndësi të jashtëzakonshme edhe për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe për të gjitha kombet e popujt liridashës anembanë globit, të cilët gjejnë te vendi juaj modelin më të shkëlqyer dhe garantuesin më të madh të lirisë e të vlerave të saj". Kryeministri Berisha nënvizon në mesazhin e tij të urimit se ne shqiptarët jemi një komb i vogël, që kemi përjetuar në historinë tonë drama të thella, pushtime të gjata, copëtime të rënda, diktatura të egra, por kemi arritur të mbijetojmë dhe t’i përkushtohemi ndërtimit të demokracisë e vlerave të lirisë në vendin tonë, sepse kemi gjetur te SHBA-ja aleatin dhe mikun më të çmuar, për çështjen tonë të drejtë. "Ne shqiptarët ruajmë për kombin tuaj të madh ndjenjat më të ngrohta të miqësisë e mirënjohjen më të thellë për mbështetjen që populli amerikan, si miku dhe aleati më i çmuar i shqiptarëve, u ka dhënë përpjekjeve tona për liri e identitet kombëtar", - thekson Kryeministri Berisha në mesazhin e tij të urimit, duke e siguruar Presidentin e zgjedhur Obama se "qeveria ime dhe mbarë shqiptarët mbetemi të vendosur që gjatë mandatit tuaj, kjo traditë e shkëlqyer miqësie, aleance e bashkëpunimi do të forcohet e konsolidohet edhe më tej, në të gjitha fushat, në shërbim të së mirës dhe interesit të të dy popujve tanë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›