E Diel, 1 Nëntor 2026

Zgjedhjet 2009, Mustafaj: PD-PS po monopolizojnë votat



Deputeti demokrat, njëherësh dhe kandidat për kreun e ri të PD-së së Tiranës, Besnik Mustafaj, ankohet tek diplomatët perëndimorë se dy partitë e mëdha, PD dhe PS, po tentojnë manipulimin e votave për parlamentaret e 2009-ës. Gjatë takimit të djeshëm me ambasadorin gjerman në Shqipëri, Bernd Borchardt, Mustafaj denoncoi bashkëpunimin mes dy partive kryesore në vend, në kurriz të partive të vogla. Për këtë Mustafaj iu referua Kodit të ri Elektoral. Sipas Mustafajt, ligji i ri për kodin zgjedhor ngushton mundësinë për konkurrimin e partive joparlamentare si dhe për individët e pavarur. Gjithashtu, Mustafaj vuri në dukje se ky ligj mund ta kryejë funksionin e tij vetëm nëse merr besimin e klasës politike dhe të opinionit publik, ndërsa në rast të kundërt, do të rrezikohej standardi i zgjedhjeve. Mustafaj dhe Borchardt diskutuan edhe lidhur me reformën në drejtësi, ku Mustafaj vuri në dukje se pjesa dërrmuese e deputetëve të Partisë Demokratike janë të vendosur për votimin e një ligji që forcon pavarësinë e institucioneve. Në këtë takim u evidentua edhe ecuria e fushatës zgjedhore për kreun e ri të Partisë Demokratike për Tiranën, ku ish-ministri i Jashtëm Mustafaj e siguroi diplomatin gjerman se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze. Gjatë bisedës së djeshme me ambasadorin e Republikës Federale Gjermane, Bernd Borchardt, me kërkesën e këtij të fundit, biseda u përqendrua rreth reformave kryesore, me të cilat do të përballet Parlamenti në vitin e fundit të mandatit të tij e ku më kryesoret janë reforma elektorale dhe ajo në drejtësi, si pjesë thelbësore e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian për t’i dhënë fund tranzicionit në vendin tonë. Z. Mustafaj i shpjegoi diplomatit të lartë gjerman se deputetët ende nuk janë njohur me projektin e ligjit të ri elektoral. Mustafaj shprehu shpresën se Parlamentit do t’i jepet koha e mjaftueshme për të zhvilluar një debat të gjerë e të shëndetshëm rreth këtij ligji, i cili duhet të miratohet vetëm pasi të jetë sqaruar dyshimi i përhapur se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste po merren vesh për të monopolizuar numërimin e votave, si dhe dyshimi tjetër se në këtë ligj parashikohet ngushtimi me tepri i mundësisë për të konkurruar qoftë për partitë joparlamentare, qoftë për individët e pavarur. Për shqiptarët do të jetë i papranueshëm një ligj që kufizon të drejtën themelore kushtetuese të garës për qytetarët. Sipas z. Besnik Mustafaj, ky ligj do ta kryejë funksionin e tij vetëm në qoftë se merr besimin e klasës politike në përgjithësi dhe të opinionit publik. Përndryshe, mosbesimi ndaj ligjit do ta infektonte atmosferën elektorale, siç edhe ka ndodhur në zgjedhjet e mëparshme dhe do të prodhonte gjatë zgjedhjeve mosbesim ndaj rezultatit të votimeve, gjë që sigurisht do të rrezikonte standardin e vetë zgjedhjeve. “Është e domosdoshme të hyjmë në zgjedhje me një ligj gjerësisht të besueshëm për të gjithë pjesëmarrësit”, - theksoi Mustafaj. Nga ana e tij, ambasadori Bernd Borchardt u interesua edhe për ecurinë e fushatës zgjedhore në degën e Partisë Demokratike për Tiranën. Zoti Mustafaj e siguroi diplomatin e lartë se ai është i vendosur për të zhvilluar një garë serioze, e cila do t’i shërbejë demokratizimit të brendshëm të partisë dhe gjallërimit të strukturave të saj për të përballuar me sukses zgjedhjet parlamentare, që pasojnë, e ku Partia Demokratike duhet të fitojë një mandat të ri. Temë e bisedës ishte edhe progres-raporti i Komisionit Evropian për vitin 2008, vlerësimet dhe problemet që shtrohen aty.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›