E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha mobilizon partinë në mbrojtje të Bashës



Kryeministri Sali Berisha ka dhënë urdhër politik që të gjithë deputetët dhe ministrat e Partisë Demokratike të dalin në mbrojtje të ish-ministrit të Transporteve, Lulzim Basha. Burime nga Grupi Parlamentar i PD-së bëjnë të ditur për gazetën se deputetët e kësaj partie janë urdhëruar që ta mbrojnë më çdo kusht ish-ministrin e Transporteve. Karta që do të përdoret nga PD-ja është hetimi i njëanshëm që po realizohet nga Prokuroria e Përgjithshme, apo presioni që ushtrohet sipas tyre nga Partia Socialiste kundrejt Prokurorisë. Po kështu, demokratët, ashtu sikurse është vënë re gjatë debateve të fundit parlamentare, po përdorin si argument mbrojtës sulmin ndaj opozitës, duke theksuar se kjo e fundit është kundër ndërtimit të rrugës dhe se sulmin ndaj ministrit e bën vetëm për arsye politike. Vetëm pak ditë më parë kryeministri Berisha, nëpërmjet zëdhënëses për shtyp, deklaroi se akuzat ndaj Bashës janë politike dhe se çdo vendim i marrë nga ai është vendim i marrë nga i gjithë kabineti qeveritar. Nëpërmjet kësaj deklarate kreu i qeverisë doli në mbrojtje të ministrit Basha, duke përfshirë të gjithë kabinetin qeveritar. Por, përveç qeverisë, Berisha tashmë ka angazhuar dhe deputetët e Grupit Parlamentar, që të ngrenë zërin kundër opozitës dhe Prokurorisë në mënyrë që çështja të trajtohet politikisht. Së fundi, ky urdhër politik duket se është realizuar më së miri nga deputetët e PD-së, të cilët kanë përdorur fjalorin më të ashpër të akuzave kundrejt organit të Prokurorisë së Përgjithshme.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›