E Diel, 1 Nëntor 2026

Kriza ekonomike godet biznesin, mbi 3 mijë subjekte drejt falimentimit

Rënia ekonomike prek edhe biznesin e madh, shitjet bien me 13,5%. Qindra kompani VIP nisin procesin e likuidimit në Tatime

Ervin Koçi

Ajo që konsiderohej si “shaka” apo si “e pamundur” përpara disa muajsh përsa i përket prekjes së vendit tonë nga kriza ekonomike, tani po fillon të ndodhë realisht. Të parët që kanë dhënë alarmin dhe që nuk kanë pyetur fare për panik kanë qenë përfaqësuesit e bizneseve më të mëdha në vend, të cilat kanë deklaruar se kanë nisur që ta ndiejnë krizën që po precipiton me shpejtësi. Por, përveç deklaratave të përfaqësuesve të biznesit, që kanë nisur të apelojnë për ndihmë nga shteti, janë edhe vetë institucionet e këtij të fundit që njëri pas tjetrit kanë nisur të konfirmojnë formulën “vendi në krizë”. Pas Bankës së Shqipërisë, përfaqësuesit e së cilës e sinjalizuan të parët ardhjen e saj, krizën kanë nisur ta deklarojnë edhe institucione të tjera si Tatimet, Doganat, INSTAT-i, QKR-ja, Ministria e Financave dhe së fundi edhe organet e pushtetit lokal, të cilat nuk po e vjelin më sasinë e taksave të parashikuara nga bizneset që po mbyllen çdo ditë. Përsa i përket kësaj të fundit, pra likuidimit të subjekteve, janë me qindra apo disa mijëra në të gjithë vendin që kanë nisur tashmë zyrtarisht procedurat e falimentimit. Lajmin e konfirmojnë për gazetën “Albania” edhe burime pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njëkohësisht edhe pranë Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës, të cilat bëjnë me dije dorëzimin e qindra formularëve “të likuidimit”, të cilat janë ato çka u hapin rrugën procedurave të falimentimit për kompanitë dhe subjektet e ndryshme.

Troket falimenti

Pasojat fillestare të krizës ekonomike botërore në Shqipëri ka nisur t’i ndiejë i pari biznesi i vogël, por pas nuk mbeten as kompanitë VIP, të cilat janë jo pak në numër. Sipas zyrtarëve të DPT-së, “janë qindra kompani biznesi, si të atij të vogël, ashtu edhe atij të madh, të cilat po shpallin likuidimin në regjistrin tregtar. Disa, për arsye normale, por disa të tjera për shkak të problemeve që hasin me likuiditetin financiar (mospagesën e taksave, pagave dhe borxheve)”. Sipas specialistëve kontabël, disa prej shkaqeve më kryesore të falimentimit janë vështirësitë për të shlyer këstin e kredive bankare të marra në vite, rënia e shitjeve, si dhe mosfuqia për të paguar taksat e shumta. Por falimenti shumë subjekteve po i vjen edhe për shkak të vështirësive që u krijohen atyre, në kushtet kur Gjyqësori nuk arrin të urdhërojë shlyerjen e detyrimeve financiare të vetë administratës shtetërore (Tatime e Dogana), për shkelje të ndryshme që punonjësit e këtyre administratave kanë bërë ndaj subjekteve private. Sipas statistikave zyrtare të marra nga “Albania” në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, mësohet se “aktualisht janë 515 kompani shqiptare në likuidim e sipër (vetëm kompani të cilat veprojnë në kushtet e kuadrit ligjor në fuqi)”. Por është mjaftë e vështirë të mësohet realiteti për shumë kompani dhe subjekte që veprojnë në kushtet e një informaliteti të theksuar, ku shumica e tyre e ushtrojnë aktivitetin e biznesit "në të zezë".

Falimentimet në 2007-n

Gjatë vitit 2007 e në vijim këtë vit janë regjistruar 3139 kompani private, për të cilat është kryer tashmë procedura e plotë ligjore për “likuidimin” (falimentimin) dhe ato janë çregjistruar nga Regjistri Tregtar i Republikës së Shqipërisë. Fjala është për disa mijëra kompani, të cilat janë eliminuar nga aktiviteti ekonomik i vendit për shkaqe të ndryshme, në një kohë kur qeveria trumbeton me të madhe kushtet dhe lehtësirat shumë të përshtatshme fiskale që ka krijuar me anë të ligjeve e akteve të saj nënligjore, për biznesin në vend. Këtë e tregojnë edhe procedurat e falimentimit, që tashmë kanë mbushur raftet e gjykatës, e cila duhet të ndjekë procedurat e çregjistrimit së bashku me Tatimet për të gjitha subjektet që falimentojnë. Drejtoria e Përgjithshme e Përmbarimit, nga ana tjetër, ka detyrimin ligjor për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore civile, si dhe të vjeljes së detyrueshme të gjobave, të dhëna si dënim në proceset gjyqësore penale. Kodi i Procedurave Civile parashikon veprime konkrete për t'u kryer nga përmbaruesi dhe afate konkrete për të përmbushur këto veprime. Në gjykata janë jo pak raste konfliktesh, kur si palë janë biznesi e shteti. Deri në fund të muajit tetor, në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës, paditë e subjekteve private kundër Përmbarimit llogariten në rreth 306. Nga këto, 248 janë procedime të reja, të ardhura në Gjykatë gjashtë muajt e fundit.

BOX///////////////////////
INSTAT-i pranon rënien ekonomike në vend me 13.5 për qind

Tremujori i tretë i këtij viti ka dëshmuar qartë se rënia ekonomike në vend është bërë e prekshme, pasi treguesi bazë i saj, niveli i shitjeve, ka rënë me 13,5 për qind. Kjo është shifër shumë e lartë dhe ka ndodhur për herë të parë pas disa vitesh. Rënia e fuqisë blerëse është në ato nivele, sa shitjet kanë rënë kaq shumë vetëm në 3 muaj. Të dhënat zyrtare nga INSTAT-i, bëjnë të ditur se më shumë se 61.9 për qind e rënies së nivelit të shitjeve ka ardhur në degë të tilla të ekonomisë si tregtia dhe restorantet. Kjo do të thotë se gjatë këtyre tre muajve sektorët ku kanë rënë më shumë shitjet janë dyqanet, ku shiten artikujt bazë të jetës së përditshme dhe kjo ka të bëjë drejtpërdrejt më rënien e fuqisë për të blerë të qytetarëve dhe me rritjen e varfërisë. Ekonomia e vendit ka hyrë në një fazë të vështirë dhe rënia e shitjeve është treguesi më i rëndësishëm, por megjithatë të tjerë tregues nuk mungojnë. Kështu edhe kreditë e dhëna nga bankat gjatë këtij 3-mujori për herë parë prej disa vitesh kanë qenë më të ulëta sesa 3-mujori paraardhës. Në asnjë vend ku pranohet qartësisht se ka rënë kriza ekonomike nuk ka pasur rënie të shitjeve me 13.5 për qind në 3 muaj. Madje, nuk ka pasur rënie të shitjeve as me gjysmën e kësaj vlere, e megjithatë ndërhyrjet e qeverive kanë qenë të forta dhe nuk kanë diskutuar në asnjë moment praninë e krizës. Në rast se shitjet në ekonomi bien, sidomos me vlera të tilla, do të thotë se biznesi jo vetëm që ul fitimet dhe nuk merr njeri në punë, por shkurton vendet e punës që ka dhe paguan shumë më pak taksa. Këto bëjnë që varfëria të jetë më e madhe dhe ekonomia të jetë në ngërç. FMN-ja tha dy muaj më parë se “potenciali i ekonomisë shqiptare për të paguar taksa është në rënie dhe është e vështirë që ajo të arrijë të përballojë kërkesat e buxhetit të shtetit”. Ky qëndrim donte të thoshte se ekonomia është në rënie. INSTAT-i tashmë e pohon këtë duke publikuar të dhënat për rënie të shitjeve me 13.5 për qind dhe ku kjo rënie ka ardhur në sektorët më domethënës për fuqinë blerëse të popullatës, në artikujt bazë të ditës. Të dhënat tregojnë se edhe industria përpunuese që punëson mbi 110 mijë njerëz ka rënie me 4,5 për qind. Rënie të thella ka pasur në përpunimin e drurit, të metaleve, agro-ushqim, ndërtim, transport etj.

Fasonistët kërkojnë subvencion nga shteti për të mos falimentuar

Kriza ekonomike botërore po fillon të japë efektet e para në ekonominë shqiptare, duke prekur sektorët më të rëndësishëm të saj. Përfaqësues tipikë të biznesit janë mbledhur dje në një takim për të diskutuar këtë problematikë dhe kanë deklaruar se shitjet kanë filluar të ulen. "Ka ndërmarrje që po ndiejnë vështirësi me kontratat dhe kanë pezulluar përkohësisht punën",- thotë Mond Rusmali, nga Dhoma Prodhuese e Veshjeve. Fasonistët duken edhe më pesimistë për vitin e ardhshëm kur do të duhet të rinovojnë kontratat. "Sivjet punojmë me kontrata të lidhura, ndërsa vitin tjetër do të kemi mungesa",- thotë përfaqësuesja tjetër e kësaj Dhome, Shqipe Dani. Kriza ka prekur edhe prodhuesit vendas, që shesin produkte në tregun e brendshëm. "Në industritë e rënda të vendit kemi një rënie në vëllim dhe vlerë. Rënia është ndjerë edhe në industrinë ushqimore",- u shpreh Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë.

5 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›