Paraja në qarkullim ka rënë me 600 milionë euro për një vit
Vlera e parave në qarkullim në Shqipëri gjatë vitit të kaluar pësoi për herë të parë ulje gjatë gjithë 10-vjeçarit të fundit. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë thonë se vlera e parasë në qarkullim vjet ishte 161,181.9 milionë lekë, ndërkohë që në vitin 2006 ajo ishte 168,254.9 milionë lekë. Pra, kemi një ulje të parasë në qarkullim vitin e kaluar në krahasim me një vit më parë, me rreth 70 miliardë lekë ose me rreth 600 milionë euro. Të dhënat e BSH-së tregonin se “në vitet e kaluara, vlera e parasë në qarkullim është rritur në vend, ndërsa në vitin 2007 dhe në pjesën e parë të këtij viti po ndodh e kundërta”. Specialistët e Ministrisë së Financave thanë se kjo ka ardhur për shkak të daljes së madhe të parasë jashtë shtetit dhe për shkak të futjes së parasë në banka. Në të vërtetë e gjithë kjo do të thotë se biznesi nuk investon në nivelet e kaluara. Gjithashtu, fakti që depozitat në banka janë rritur dhe fakti që vlera të konsiderueshme të parasë dalin jashtë vendit e bën më të plotë panoramën e gjendjes së parasë. Çdo vit që prej vitit 2000 të paktën sasia e parave në qarkullim është rritur me 30 miliardë lekë, me 20 miliardë lekë, me 25 miliardë lekë, por rënie të tilla prej 600 milionë eurosh asnjëherë nuk ka pasur. Mjetet e vetme me të cilat sasia e parasë në qarkullim mund të rritet kanë të bëjnë me krijimin e mundësisë për biznesin që ai të investojë dhe jo të depozitojë në banka, e as të nxjerrë para jashtë vendit. Sipas ekspertëve të ekonomisë, është e jashtëzakonshme që brenda një viti sasia e parasë në qarkullim të bjerë me këtë vlerë.
Ankandi, BSH-ja nxjerr për shitje 9.8 miliardë lekë bono thesari
Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave, ka përfunduar sot ankandin e radhës për shitjen e bonove të thesarit. Sipas Departamentit të Operacioneve Monetare pranë kësaj banke, në ankand janë shitur bono me maturim 6 dhe 12- mujor, që do të përdoren për bankat e nivelit të dytë dhe për Bankën e Shqipërisë. Vlera totale e shitur në ankand është 9.8 miliardë lekë. Për bonot me maturim 12- mujor, u paraqitën 41 kërkesa konkurruese, prej të cilave u pranuan 28. U kërkuan për shitje bono me vlerë 10.121.610.000 lekë dhe u shitën bono me vlerë 6.400.000.000 lekë. Yield-i maksimal i pranuar është 8.10 për qind, yield-i minimal i pranuar është 7.88 për qind, yield-i mesatar i thjeshtë është 8.02 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 8.04 për qind. Këto bono maturohen më 9.12.2009. Për bonot me maturim 6-mujor, vlera e kërkuar dhe ajo e shitur është 3.400.000.000 lekë. Ndërkohë që u pranuan të 12 kërkesat konkurruese të paraqitura. Yield-i maksimal i pranuar është 7.35 për qind, yield-i minimal është 6.94 për qind, ai mesatar i thjeshtë është 7.23 për qind dhe ai mesatar i ponderuar është 7.51 për qind. Këto bono do të maturohen në 03.03.2009.
5 Dhjetor 2008