PD-PS, akuza të ndërsjella për presion ndaj Prokurorisë
Eljona Ballhysa
Dy partitë e mëdha kanë hedhur akuza ndaj njëra-tjetrës për ushtrim presioni ndaj Prokurorisë për çështjen “Basha”. Deputeti i Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, e ka akuzuar Prokurorinë për hetim të njëanshëm ndaj ish-ministrit të Transporteve Lulzim Basha. Ndërsa deputetët e PS-së, Braçe e Dalipi, kanë akuzuar PD-në se po ushtron presion ndaj prokurorëve të çështjes. Madje Braçe ka shtuar se Berisha po përdor qeverinë e partinë për të mbrojtur ministrin e Jashtëm. Më tej ai tha se akuzat ndaj Bashës nuk janë ngritur nga Partia Socialiste, por nga institucionet kushtetuese, duke iu referuar në veçanti raportit të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Opozita
Duke folur për hetimet e Prokurorisë dhe procesin gjyqësor për ish-ministrin e Transporteve Lulzim Basha, nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Erion Braçe, e akuzoi kryeministrin Berisha për shantazh ndaj prokurorëve të çështjes. “Maxhoranca po e përdor politikisht për të deformuar hetimin, tjetërsimin e gjykimit, me shantazh dhe kërcënim prokurorësh nga ana e Sali Berishës, si i interesuari kryesor në këtë çështje, duke mos mbajtur një prej premtimeve kryesore për luftë ndaj korrupsionit në programin qeverisës 3 vjet e gjysmë më parë”, - është shprehur Braçe, ndërsa ka cituar pjesë nga programi politik i PD-së, në të cilin shprehet angazhimi se do të ndëshkohej korrupsioni edhe në nivel ministrash. Më tej Braçe ka bërë të ditur se akuza ndaj Bashës nuk është politike, por penale dhe se akuzën e kanë bërë institucionet kushtetuese, dhe jo përfaqësues të PS-së. “Akuza është penale dhe jo politike, e ngritur nga institucione kushtetuese bazuar në ligj dhe në Kushtetutën e vendit, dhe jo nga partitë politike”, - është shprehur Braçe. Ai i është referuar raportit të KLSH-së, të publikuar në janar të këtij viti. KLSH-ja në këtë raport i ka rekomanduar qeverisë të rishikojë çmimet për njësi të kontratës, për t’i aplikuar si çmimet për njësi të aplikuara deri tani në tregun shqiptar. Sipas Braçes, rekomandimet e KLSH-së nuk u morën parasysh dhe abuzimet, sipas tij, janë tejet të larta. Më tej Braçe iu referua deklaratës së përfaqësuesit të FMN-së bërë një vit më parë, i cili ka shprehur shqetësimin për koston dhe rrezikun fiskal që del nga kontrata e projektit, duke e cilësuar kontratën jashtë kornizës normale. Në vëmendjen e ligjvënësve Braçe solli dhe deklaratën e shefes së Bankës Botërore për Europën Juglindore, sipas të cilës projekti i kompanisë ka kaluar pa procesin e konkurrimit. “Kjo nuk është mënyra e kontraktimit që ne e këshillojmë qeverinë të ndërmarrë. Ne jemi për një proces transparent dhe e theksoj, konkurrues”, - ka cituar Braçe. Edhe deputeti tjetër i Partisë Socialiste, Alfred Dalipi, e akuzoi Partinë Demokratike se po e trajton politikisht hetimin ndaj ministrit Basha, i cili akuzohet për abuzime me paratë e shtetit, që kapin një shifër prej 230 milionë eurosh.
Maxhoranca
Deputeti Braçe është replikuar nga ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi. Ai vuri në dukje se çmimi i rrugës nuk vendoset nga gjatësia e saj, por nga terreni në të cilin ndërtohet. Ndërsa deputeti Bumçi akuzoi Prokurorinë për hetim të njëanshëm dhe po e zvarrit qëllimisht çështjen deri në fushatë elektorale. “Prokuroria është e pavarur nga maxhoranca dhe qeveria, por nuk është e pavarur nga segmente të tjera si opozita dhe kryetari i saj. Çdo akt për ndërtimin e rrugës është një vendim kolektiv i qeverisë. Maxhoranca është për hetimin e rrugës dhe shtetin ligjor, por ne nuk mund ta mbajmë gojën mbyllur kur shikojmë se si Prokuroria është kthyer në një instrument politik. Ka kaluar faza kur institucionet e Drejtësisë përdoreshin politikisht”, - është shprehur Bumçi.
Harasani: “Kontratat me Italinë nuk e zgjidhin krizën energjetike”
Deputeti i Partisë Socialiste, Andis Harasani, është shprehur dje në Kuvend se marrëveshjet e nënshkruara midis qeverisë shqiptare dhe asaj italiane për ndërtimin e parqeve energjetike nuk zgjidhin krizën energjetike në vend. Ndërsa kërkoi zbardhjen e këtyre marrëveshjeve dhe bërjen publike të kushteve të tyre, Harasani u shpreh se energjia e prodhuar në Shqipëri do të përdoret për elektrifikimin e Italisë. “Rigazifikimi në Fier dhe prodhimi i energjisë nëpërmjet erës në Vlorë, dëmtojnë të ardhmen e turizmit, shkatërrojnë shëndetin e shqiptarëve dhe nuk e zgjidhin aspak krizën energjetike në vend, pasi e gjithë energjia që do të prodhohet do të shkojë në Itali. A do të na e zgjidhin krizën energjetike këto centrale? Kush paguan për shëndetin e dëmtuar nga ndotja që lëshojnë centralet? Për impaktet dhe transparencën e munguar dua përgjigje urgjente nga kryeministri Berisha. Po kështu të shpjegojë edhe projektin tjetër të tij për ndërtimin e centralit bërthamor në Kavajë”, - u shpreh Harasani. Direkt pas Harasanit fjalën e ka marrë ministri i Ekonomisë, Genc Ruli. Ai nuk tha nëse energjia e prodhuar do të përdoret për Shqipërinë, por bëri të ditur se vendi do të përfitojë taksat që do të paguhen nga investitorët italianë dhe hapjen e vendeve të reja pune. “Investitorët do të paguajnë taksat dhe do të punësojnë rreth 1000 persona”, - tha Ruli. Sipas tij, ato do të ndërtohen nga kompani të specializuara ku risku i ndonjë incidenti është zero. “Marrëveshje me ‘Moncada’ për prodhimin e energjisë me erë në zonën e Karaburunit ka pikësëpari avantazhin e investimit të 1 miliard eurove dhe është burim punësimi, burim investimesh në rrugë dhe sjell të ardhura fiskale në masën 30 për qind të investimeve”, - është shprehur Ruli. Ai nuk tregoi se çfarë do të përfitojë direkt Shqipëria nga ndërtimi i një rigazifikimi në Fier, por tha se kjo nuk është zonë me vlera turistike, ndaj u zgjodh të ndërtohet aty.
5 Dhjetor 2008