Siguria, BE-ja ndalon importin e produkteve ushqimore kineze
Organizmat përgjegjës të BE-së për sigurinë ushqimore kanë ndaluar importet e produkteve ushqimore kineze me bazë soje për foshnjat dhe fëmijët, pasi në to u zbuluan gjurmë kimikatesh. Kimikati industrial, melamina, përdoret në prodhimin e pesticideve dhe të plastikës. Dy muaj më parë ky element ishte qendra e një skandali të produkteve të qumështit, që shkaktoi përkeqësimin shëndetësor të mijëra fëmijëve kinezë. “Autoriteteve kompetente në shtetet anëtare të BE-së do t'iu duhet të kryejnë disa teste mbi ushqimet që përmbajnë soje dhe nënproduktet e saj që vijnë nga Kina para se të lejohet importi i tyre",- deklaroi Komisioni Europian në një deklaratë.
Industria e makinave, nis plani antikrizë në SHBA
Industria amerikane e makinave është zhytur në krizë dhe kërkohet një plan ndihme nga shteti. Drejtuesit e kompanive më të mëdha janë angazhuar për të bërë investime për teknologjitë e reja që do kursejnë edhe karburante. Veç kësaj, drejtuesit e këtyre kompanive angazhohen që të ulin shpenzimet e mëdha të tyre që nga avionët deri te pagat miliona dollarëshe. Deri në daljen nga kriza ata premtojnë se do të paguhen vetëm një dollar në vit. Në Kongres ka pasur kërkesa për t'i dhënë ndihme tri kompanive të makinave, ndërsa sindikata e automobilistëve ka premtuar ndihmë, sidomos për punonjësit që do të mbesin pa punë.
Belgjikë, bli një makinë, merr një tjetër falas
Ndërsa recesioni po përndjek Europën dhe të gjithë botën, shitësit e automjeteve po shfrytëzojnë në maksimum idetë e tyre për të siguruar sa më shumë konsumatorë, që janë në gjendje të paguajnë me para në dorë. Një kompani në Bruksel ka zgjedhur ofertën standarde “bli një makinë, merr një falas”. Makina falas, që vjen me të renë, është e përdorur, por në gjendje shumë të mirë, të përdorura nga drejtuesit e kompanive, ndërsa disa të tjera janë modele që janë shfaqur në panaire. Konsumatorët belgë kanë reaguar mjaft pozitivisht. Gjithsesi, industria e automjeteve është në dëshpërim ku prodhuesit në Gjermani, Spanjë, Francë, Suedi, Japoni etj., kanë raportuar shitje të ulëta.
SHBA, “FED” raporton se po bien presionet inflacioniste
Presionet inflacioniste për Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ngadalësohen dhe sektori i industrisë përpunuese po bie ndjeshëm. Ky është konstatimi i Bankës Qendrore Amerikane, “Federal Reserve” në raportin e saj “Beige Book”. Sipas “FED”-it, nga mesi i tetorit ekonomia amerikane ka vazhduar të dobësohet në të gjitha rajonet, me kushte kreditore që vijnë në përkeqësim dhe një kërkesë më të vogël për të financuar. Në rënie kanë qenë edhe shitjet dhe aktivitetet e industrisë përpunuese. Tregu i shtëpive dhe rezidencave ka qenë i dobët, ndërkohë që ka një ngadalësim të tregut të punës.
Putin: “Nuk do të përsëritet kolapsi i viteve ‘90”
Kryeministri rus, Vladimir Putin, ka marrë pjesë në një emision televiziv, ku u është përgjigjur pyetjeve të audiencës. Duke folur për çështjet ekonomike, Putin tha se “Rusia nuk do të lejojë luhatjen e monedhës së saj, Rublës, dhe se shteti do të ndërhyjë në bankat dhe firmat me probleme”. Njerëz nga i gjithë vendi kanë drejtuar pyetje për kreun e qeverisë ruse. Edhe pse do të ketë kohë të vështira për ekonominë, Putin siguroi rusët se “situata nuk do të krahasohet me kolapsin e fillimit të viteve ’90”. Sipas tij, "do të jetë periudhë e vështirë për ekonominë botërore dhe për ne. Në fillim të viteve ’90 industria dhe sistemi social ishin në kolaps, kurse sot gjendja është më e mirë”.
Gjatë vitit 2009 nafta ruse do të jetë 50 dollarë për fuçi
Moskë - Çmimi mesatar i naftës ruse në vitin 2009 do të jetë 50 dollarë për fuçi, lajmëroi zëvendësministri për Zhvillim Ekonomik, Andrej Klepaç. "Në pajtim me skenarët bazikë, çmimi mesatar i naftës i tipit ‘Urals’ vitin e ardhshëm do të kushtojë 50 dollarë për fuçi, në vitin 2010 55 dollarë, ndërsa në vitin 2011 60 dollarë",- lajmëroi Klepaç në Forumin Ekonomik dhe Financiar rus në Austri. Ai bëri të ditur se, “Ministria e ka korrigjuar parashikimin për zhvillimin shoqëroro-ekonomik për periudhën 2009-2011, që sot do t`ia dorëzojë qeverisë, e cila kryesohet nga kryeministri Vladimir Putin”.
5 Dhjetor 2008