Berisha në PPE: Rama, biznes me votën

Nga Brukseli, ku mori pjesë në samitin e PPE-ve, Kryeministri Sali Berisha i kërkoi kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të pranojë zgjedhjet e 28 qershorit, pasi prokuroria nuk gjeti manipulime
Kryeministri Sali Berisha, nga samiti i PPE-ve në Bruksel, i bëri thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të pranojë zgjedhjet e 28 qershorit, pasi prokuroria nuk gjeti manipulime. Berisha vuri në dukje se zgjedhjet e fundit parlamentare ishin më të mirat, pavarësisht pretendimeve të opozitës. Por nga Brukseli, Berisha
akuzoi Ramin se po bën biznes me votën e shqiptarëve. Kreu i qeverisë pohon gjithashtu se do të nisë hetimin e zgjedhjeve sipas kërkesë së PS-së, nëse ajo kjo e fundit paraqet fakte e jo dyshime.
“Zoti Rama pasi mbajti për një vit rresht partinë e tij me kërkesën për numërim të votimeve u tërhoq se do dilte si në Shkodër. Zoti Rama mund të përpiqet të bëjë biznes me votën e shqiptarëve, por unë e garantoj se nuk do të arrijë kurrë. Në qoftë se zoti Rama pranon gjuhën e ligjit, pranon që këto hetime të bazohen mbi bazën e fakteve dhe provave që nesër që të gjitha pa asnjë hezitim. Në qoftë se z. Rama më fton mua të shkelmoj një kompromis për të bërë një kompromis tjetër kjo është qesharake”, - theksoi z. Berisha.
Kundrejt kësaj Kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit, pasi, sipas tij, nuk kishin parregullsi siç pretendonte kryesocialisti Rama.
Ai informoi krerët e PPE-së se prokuroria shqiptare në Shkodër hapi kutitë e denoncuara nga PDK-ja dhe arriti në përfundimin se nuk ka pasur manipulime.
“Ju siguroj që Shqipëria do të votojë në zgjedhje të lira dhe të ndershme si çdo komb evropian. Ky është angazhimi im i plote. Sot në Shqipëri ka një demokraci funksionale dhe ajo është një vend anëtar i NATO-s. Dje, shqiptaret filluan të lëvizin të lirë. U jam mirënjohës të gjithë atyre që votuan për këtë. Më duhet të theksoj se sot, drejt Italisë, nga Porti i Durrësit janë nisur vetëm 3 qytetarë pa vizë, 86 të tjerë morën fluturimin, që do të thotë që një komb i cili qe një komb eksodesh, 20 vjet më parë e priti me maturi të madhe këtë vendim të BE-së për të hequr vizat për të”, - tha Berisha. Ai shtoi se qeveria shqiptare shkatërroi 204 banda kriminale shumë të rrezikshme dhe Shqipëria tashmë është një nga vendet më të sigurta në rajon dhe Evropë. “Treguesit e kriminalitetit në vendin tonë janë më të ulët se mesatarja e BE. Këtë vit, Shqipërinë e vizituan 3.5 milionë turistë. Asnjeri prej tyre nuk pati problemin më të vogël në këtë vend”, - deklaroi Kryeministri. Z. Berisha u ndal dhe tek prirjet pozitive të ekonomisë. “Ekonomia e Shqipërisë është e vogël, por dinamike dhe entuziaste. Këtë vit do të kemi një rritje më të madhe dhe jo sepse nuk është globale, është hiperglobale. Ne e kemi luftuar me zero tolerancë korrupsionin”.