Korrupsioni, Uollfarth: Shqetësues financimet e partive politike
Ambasadori i OSBE-së, Eugen Uollfarth, sugjeron dënime edhe më të forta për të evituar problemet me financimet e partive politike. I pranishëm në tryezën e organizuar nga ILDKP për bashkëpunimin me median dhe shoqërinë civile në luftën kundër korrupsionit, ai tha se mungesa e transparencës për financimet e partive dhe mungesa e dënimeve të ashpra bëjnë që puna e institucioneve të mos jetë mjaft efiçente. “Mungesa e transparencës dhe baza e paqartë ligjore në përforcimin e të drejtave të pronësisë është një fushë që mundëson praktikat korruptive dhe dëmton në themel qëllimin e krijimit të një tregu funksional të tokës dhe transparenca lidhur me financimet e partive mbetet gjithashtu shqetësuese”, - tha Uollfarth. Duke u ndalur në financimin e partive Uollfarth tha se edhe pse Kodi Zgjedhor kërkon që Komisioni Qendror Zgjedhor të mbledhë deklaratat financiare të partive politike, ai nuk i ka mjetet e duhura për të hetuar burimet e financimit, dhe gjithashtu nuk ekziston detyrimi për të raportuar mbi donacionet e bëra nga sektori privat. “Veç kësaj, angazhimi i autoriteteve kombëtare për të luftuar korrupsionin nuk pasqyrohet gjithmonë përmes zbatimit të vazhdueshëm të legjislacionit ekzistues dhe ndjekjes së çështjeve penale”, tha ai. Përfaqësuesi i OSBE-së ka theksuar se problem tjetër është dhe gjykimi i akteve të korrupsionit. “Mbetet ende për t’u krijuar një histori bindëse e aktgjykimeve, dhe dënimeve të forta dhe të duhura dhe/ose gjobave në rastet e korrupsionit”, - deklaroi ambasadori i OSBE-së. Uollfarth shtoi se media duhet të ketë një standard thelbësor në inkurajimin e përgjegjshmërisë gjatë proceseve vendimmarrëse. “Një media e lirë duhet të shërbejë si një kundërpeshë e fortë dhe e gjallë ndaj korrupsionit në jetën publike dhe për këtë arsye ajo meriton mbrojtje të veçantë. Ata janë përgjegjës për raportimin e fakteve dhe jo për marrjen e rolit të gjyqtarit dhe jurisë”, - tha ambasadori i OSBE-së, Uollfarth.