PPE, Martens: Zgjedhjet, të ndershme, Rama t’i pranojë
Në samitin e PPE-së, presidenti I këtij grupimi, më i madhi në Parlamentin Evropian, Wilfried Martens, garantoi dje përkrahjen unanime për Shqipërinë për ta pranuar si vend kandidat të BE-së brenda vitit 2011. Ai i cilësoi reformat që vendi ka bërë në vazhdën e rrugës drejt integrimit evropian si premtuese. Vlerësimi erdhi pikërisht nga kryetari i kësaj partie Wilfried Martens, i cili të enjten drejtoi edhe samitin e kësaj partie në Bruksel ku morri pjesë edhe Kryeministri Berisha. Në fokusin e këtij samiti ishte zgjerimi i bllokut, por edhe situata aktuale e vendeve kandidate dhe aplikuese për statusin e vendit kandidat si Shqipëria. Në këtë aspekt, Martens u shpreh se zgjedhjet e fundit në Shqipëri ishin më të mirat. Po ashtu ai i bën thirrje liderit të opozitës të pranojë rezultatin e zgjedhjeve të qershorit.
“Kryeministri Berisha ka bërë dhe po bën një punë të shkëlqyer me zbatimin e reformave, të cilat janë shumë të rëndësishme për rrugën evropiane të Shqipërisë. Unë e kujtoj shumë mirë ditën e fundit të fushatës zgjedhore kur ai u fliste qytetareve me bindje dhe jemi shumë të kënaqur me rezultatin e atyre zgjedhjeve. Një gjë duhet të pranohet nga opozita që këto zgjedhje ishin të ndershme dhe ajo duhet të pranojë rezultatin e tyre”, - tha Martens. Për sa i përket aplikimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, Wilfried Martens tha se Partia Popullore Evropiane do të mbështesë plotësisht Shqipërinë.
"Vendimi do të merret në vitin 2011 dhe unë kam marrë pjesë në të gjitha reformat që janë bërë në Shqipëri. Partia Popullore Evropiane është shumë e impresionuar nga reformat në Shqipëri. Kjo është dhe arsyeja për të cilën ne do të mbështesim statusin e kandidatit të Shqipërisë”, - tha Wilfried Martens. Ai e bëri këtë deklaratë pas samitit të Partive Popullore në Bruksel ku ishin të pranishëm, krahas Kryeministrit Berisha, Presidenti i Këshillit Evropian Van Rompoy, Hose Manuel Barroso, Busek dhe personalitete të njohura të politikës evropiane.