MPJ: Gjykata Ndërkombëtare rrëzoi akuzat e Marty
Ministria e Jashtme e Shqipërisë hedh poshtë akuzat e raportit të Dick Martyt për Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, lidhur me trafikun e organeve. Sipas saj, autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. GJND ka rrëzuar kërkesat për trafik organesh. “Raporti është i pabazuar në fakte, ndërsa nuk pasqyron frymën e KiE”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Reporteri i APKiE, Dick Marty, tha se hetimi i tij është shumë serioz dhe se ai ka fakte e prova për akuzat e bëra në raport duke i kërkuar autoriteteve përkatëse të nisin hetimet pasi të kenë shqyrtuar me vëmendje raportin e tij, i cili është fryt i një hetimi 2-vjeçar bazuar edhe në burime të FBI-së. Në vijim të publikimit të raportit të hartuar nga parlamentari zviceran i Asamblesë së Këshillit të Evropës, z. Dick Marty, Ministria e Punëve të Jashtme thekson se: Raporti është totalisht i pabazuar në fakte, prova apo realitet, çka dëshmon qartë për anësi politike të autorit, duke përbërë abuzim me autoritetin e Këshillit të Evropës. Një raport i tillë nuk pasqyron frymën e përgjegjshmërisë, besueshmërisë dhe maturisë që përçon Këshilli i Evropës.
Rikujtojmë se në vitin 2004, Gjykata Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi, si i vetmi organ ndërkombëtar ligjor, i kualifikuar dhe i mandatuar për të hetuar krimet e kryera në ish-Jugosllavi, i ka hedhur poshtë pretendimet se në Shqipëri dhe Kosovë është kryer trafik organesh, duke i cilësuar ato si të pabazuara në prova. Përmbajtja e raportit të z. Marty, si dhe pretendimet se autoritetet shqiptare nuk kanë bashkëpunuar në hetim janë krejtësisht të pavërteta, spekulative dhe shpifëse.Institucionet e Republikës së kanë bashkëpunuar ngushtë me grupin hetimor të Gjykatës Ndërkombëtare për Krimet në ish-Jugosllavi në vitin 2004 dhe i kanë ofruar bashkëpunim të plotë edhe vetë z. Marty gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 2009.