E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ndërron zëdhënësen, por jo ndryshime në kabinet

Kryeministri Berisha ka ndërruar zëdhënësen e tij për shtyp, Juela Meçanin, e cila prej tre vitesh ka mbajtur këtë detyrë. Vendin e Meçanit e zuri dje zëdhënësja e Partisë Demokratike, Erla Mëhilli, e cila prej kohësh ka qenë zëri i qëndrimeve të selisë blu. Ende nuk ka të dhëna në lidhje me detyrën e re ku do të emërohet Juela Meçani, e cila është edhe anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike dhe se kush do ta zëvendësojë Mëhillin në pozicionin e saj të mëparshëm. Por, nga ana tjetër, mësohet se Kryeministri Berisha nuk ka ndërmend të bëjë lëvizje të tjera në stafin e tij të ngushtë në Kryeministri. Nga ana tjetër, burimet bëjnë të ditur se ndonëse ka zëra për ndryshime në kabinetin qeveritar, kreu i qeverisë nuk do të bëjë ndryshime për momentin te ministrat e tij. Mosgjetja ende e një zgjidhje për situatën politike në vend dhe proceset e rëndësishme që pritet të kalojë vendi në muajt shtator dhe nëntor, për sa i përket liberalizimit të vizave dhe integrimit, nuk shikohen si koha e përshtatshme për ndryshme kabineti. Por nuk përjashtohet mundësia që afër zgjedhjeve të ardhshme lokale, që pritet të mbahen në pranverën e vitit 2011, të ketë ndryshime për kabinet. Kjo, edhe për shkak të zërave se në bashkinë e kryeqytetit, kandidatura e PD-së pritet të jetë ajo e ministrit aktual të Brendshëm, Lulëzim Basha. Po kështu pritet që edhe emra të tjerë deputetësh të përfshihen në listën e kandidaturave të PD-së për zgjedhjet lokale. Një skemë e tillë lë vende vakante në qeveri dhe Parlament.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›