E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama biseda me përfaqësues të politikës europiane

Kryetari i PS-së përfundoi dje vizitën disaditore në Greqi. Takime me Papandreun dhe baroneshën Ashton

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, bisedon për krizën politike në Shqipëri me përfaqësuesit më të lartë të politikës europiane. Lideri i socialistëve është kthyer dje në darkë nga vizita e tij disaditore në Greqi dhe sot do të jetë prezent përpara medias për të shpalosur detajet e kësaj vizite. Në kuadër të punimeve të fondacionit “Andrea Papandreu”, Edi Rama ka zhvilluar disa takime me rëndësi, si ajo me shefen e diplomacisë britanike, Catherine Ashton, liderin e socialistëve europianë, Luis Ayala, si dhe me atë të së majtës franceze, Segolene Royal.

Ky është një takim që zhvillohet për vit në Greqi nga Jorgos Papandreu, i cili fton miqtë e tij politikanë nga vende të ndryshme të botës, pavarësisht bindjeve politike. Kriza politike në Shqipëri duket se ka zënë një vend të veçantë në takimin e kryetarit të PS-së me Kryeministrin e Greqisë, Jorgos Papandreun.

Vizita në Greqi

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përfundoi dje vizitën e tij në Greqi me ftesë të fondacionit “Andreas Papandreu”. I shoqëruar nga deputetët Fatmir Xhafa, Taulant Balla dhe kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, kreu i selisë rozë në axhendën e vet ka shënuar edhe pjesëmarrjen në Forumin për Ekonominë Globale, që u organizua nga Internacionalja Socialiste në ishujt Poros. Ndërkohë, me interes kanë qenë takimet e zhvilluara me përfaqësues të PASOK-ut, si ai me sekretarin e përgjithshëm Socratis Xinidis, por edhe ai me Kryeministrin grek, Jorgos Papandreu, i cili ka qenë për disa orë kokë më kokë. Lidhur me axhendën e ngushtë partiake të Ramës, diskutimet janë përqendruar në bashkëpunimin dypalësh dhe problematikën e emigrantëve. Në takim, Rama falënderoi krerët e PASOK-ut për mbështetjen që i kanë dhënë Partisë Socialiste, por edhe kauzës së shqiptarëve për integrimin europian dhe liberalizimin e vizave. Nga ana tjetër, kryetari Rama e cilësoi si një hap historik të drejtën e votës, që për herë të parë qeveria e Papandreut ua siguron edhe emigrantëve shqiptarë të pajisur me leje qëndrimi greke. Ndërkohë që përfaqësuesit e PASOK-ut i shprehen kryetarit Rama mbështetjen dhe uruan në të njëjtën kohë që kriza politike dhe institucionale në Shqipëri të mund të zgjidhet sa më shpejt.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›