E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bosch: Negociatat? Më në fund po merren me substancën

Ambasadori i OSBE-së flet për takimin e krerëve të grupeve të PD-së dhe PS-së

Ambasadori i misionit të OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, e konsideroi si pozitive rinisjen e negociatave mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste për krizën politike dhe uroi gjetjen e një zgjidhje sa më të shpejtë. Sipas tij, OSBE-ja e mbështet këtë nismë dhe është e kënaqur që palët po zhvillojnë takime të kësaj rëndësie. “Mund të them që ky është një zhvillim pozitiv. Më në fund po shikojmë se dy partitë politike po merren me gjëra substanciale. Ne e përgëzojmë nisjen e negociatave dhe urojmë e shpresojmë në gjetjen e një zgjidhjeje”, uroi ambasadori Bosch, i cili më parë ka qenë pjesë e negociatave për gjetjen e një zgjidhje politike. Por, nga ana tjetër, ambasadori deklaroi se zgjidhja në të cilën po shkohet kësaj radhe, duket se është e ngjashme me atë të cilën u përfol se ishte propozuar nga OSBE-ja pak kohë më parë. Ekzistenca e një drafti të përgatitur nga OSBE-ja dhe ambasadorët e tjerë në Shqipëri për ngritjen e një komisioni hetimor, i cili do të hetonte kutitë e materialeve të votimit dhe më pas çuarjen e kërkesës për hapjen e kutive të votimit në Komisionin e Venecias, u pranua nga ambasadori Bosch pak muaj më parë në një komunikim me median. Por më pas, deklaratat e Kryeministrit Berisha se nuk kishte asnjë draft të shkruar nga ambasadorët në lidhje me gjetjen e një zgjidhje për krizën politike, e fashitën këtë deklaratë dhe ambasadori nuk pranoi të komentonte në lidhje me këtë çështje. Tashmë duket se gjetja e konsensusit mes PD-së dhe PS-së për ngritjen e një komisioni të ri hetimor, në të cilin do të hetohen kutitë e materialeve dhe lënia e një tjetër takimi mes palëve për të diskutuar për fletët, po përshëndet nga ndërkombëtarët në Tiranë. Kjo, edhe për faktin se tashmë palët po vijojnë të vetme punët që nisën me faktorin ndërkombëtar për gjetjen e një zgjidhje për krizën. Gjetja e një zgjidhje për këtë situatë, e cila ka një vit që qëndron e pandryshuar, u kërkua me ngulm edhe nga presidenca belge e Bashkimit Europian. Në një komunikim për mediat, ambasadori i Belgjikës në vendin tonë, Mark Mishelsen, deklaroi se tashmë palët politike duhet të përpiqeshin vetë të gjenin një zgjidhje për krizën politike. Sipas tij, baza e zgjidhjes së kësaj krize gjendej në rezolutën e Parlamentit Europian të miratuar për Shqipërinë. Në këtë kuadër Mishelsen deklaroi se kriza politike në vend duhet të zgjidhej brenda rrugëve ligjore, por të respektonte gjithashtu të drejtën e opozitës shqiptare për transparencë të procesit zgjedhor të 28 qershorit të vitit të shkuar.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›