E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Megafarma, korrupsioni i 2 ministrave të Berishës

Deputeti Eltar Deda: Prifti i shiti aksionet fituesit të tenderit për ilaçet. Mbrohet Vasili: Ministria nuk jep tenderë Socialistët rikthejnë akuzat për afera korruptive të ministrave

çështja “Megafarma” ka sjellë akuza për afera korruptive në sallën e Parlamentit. Dy ministra të kabinetit “Berisha”, Dritan Prifti dhe Petrit Vasili, janë ‘kryqëzuar’ me akuza dje nga Partia Socialiste pas interpelancës që kjo e fundit kërkoi me ministrin Petrit Vasili. Deputeti i PS-së, Eltar Deda, i cili ishte edhe aktori kryesor i kësaj kërkese për interpelancë, e akuzoi ministrin Vasili për abuzime me tenderët e ilaçeve dhe klientelizëm në këtë fushë.

Denoncimi

“Mund t’ju them se “Megafarma” është rreth i familjes suaj dhe drejt kësaj kompanie dhe këtij distributori janë drejtuar të gjithë tenderët. Na rezulton se pronari i “Megafarmës” është Rasim Hazmaraj; ai është personi që ka blerë pasurinë e ministrit Dritan Prifti prej 1.8 milionë eurosh. Ministri thotë se nuk ka klientelizëm. Tenderi që u bë në Vlorë zë 50 për qind të buxhetit që e drejton drejtori i politikave, i cili është i partisë suaj”, akuzoi Deda nga foltorja e Kuvendit. Debati parlamentar ka filluar të ndizet pikërisht në ditët e fundit të saj, kur kanë ngelur edhe dy seanca parlamentare për t’u zhvilluar. Ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, u vu në shënjestër të akuzave të opozitës në Kuvend, lidhur me gjendjen e sistemit shëndetësor dhe aferave korruptive.

Replika

Duke argumentuar qëndrimin e tij lidhur me këto akuza, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka sqaruar se prej 4 vitesh ministria nuk merret me tenderët e ilaçeve. “Ministri nuk bën tender barnash, nuk shpall tender barnash, nuk miraton më që prej katër vjetësh asnjë tender; së dyti, për sa u takon listave të barnave, kanë qenë krejtësisht të kufizuara me një numër shumë të vogël”, replikoi Vasili. Deputeti Deda akuzoi edhe për shitjen e shërbimeve spitalore, sikurse është ai i dializës, nga spitalet shtetërore te spitalet private, ku ky shërbim i ofrohet me çmime shumë të shtrenjtë.

Interpelanca

Gjatë interpelancës së djeshme në Parlament, ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, ka raportuar për arritjet e dikasterit që drejton. Menjëherë pas tij e ka marrë fjalën deputeti i PS-së, Eltar Deda, i cili ka akuzuar ministrin Vasili se fituesit e tenderëve në spitale bëhen sipas preferencave të tij klienteliste. Deputeti Deda përmend kompaninë “Megafarma”, e cila, sipas tij, është fituesja e tenderëve në spitale. “‘Megafarma’ është kompania e rrethit të familjes së Vasilit. Tenderët fitohen nga kjo kompani”, shton Deda. Deda shkon më tej sa akuzon edhe ministrin Prifti, duke deklaruar se “‘Megafarma’ ka blerë aksionet e Priftit”, e ndërsa tani, sipas tij, përzgjidhet nga ministri Vasili, duke theksuar se kjo kompani fsheh “korrupsionin e 2 ministrave”.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›