E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, ndihmë nga Turqia për gazsjellësin

Shqipëria i kërkon mbështetje Turqisë për projektin e gazsjellësit Shahdeniz, që nis nga Azerbajxhani dhe kalon në Turqi. 

Këtë e bëri të ditur dje ministri turk i Energjisë, Hilmi Guler, i cili në një prononcim për mediat deklaroi se, kryeministri Berisha ka kërkuar nga Turqia që gazsjellësi Shahdeniz të mbërrijë edhe në Shqipëri. Sipas ministrit turk, kërkesa e kryeministrit Berisha është bërë gjatë një takimi bilateral në kuadër të Samitit të Kroacisë. Gazsjellësi, që nis nga qyteti Baku i Azerbajxhanit kalon përmes Turqisë, dhe për këtë arsye kryeministri i ka kërkuar ministrit turk që Ankaraja të ndihmojë Shqipërinë për të shtrirë këtë gazsjellës edhe në vendin tonë. Në Shqipëri nuk kalon asnjë projekt gazsjellësi, apo nafte edhe pse ka shumë vite që përflitet për të tilla investime. Një i tillë është dhe projekti amerikan "Ambo", por ende nuk ka pasur asnjë rezultat konkret për nisjen nga puna të këtij naftësjellësi. Gjatë fjalës së tij në Samitin e Dubrovnikut kryeministri Berisha tha se, zhvillimet pas Traktatit të Lisbonës për Shqipërinë dhe rajonin nënkuptojnë përpjekje të mëdha dhe performancë më të mirë në projektet e tyre madhore, integrimin në NATO dhe BE. Kryeministri theksoi se, këto projekte përbëjnë planin e vërtetë të masave, në të cilin është fokusuar qeveria Berisha. Kreu i ekzekutivit vlerësoi se marrja e ftesës në Samitin e Bukureshtit ishte një gjest vlerësimi për reformat e realizuara nga qeveria e tij. Kryeministri e vuri theksin në reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, kontrabandës, informalitetit dhe evazionit fiskal, duke u shprehur se, në Shqipëri, klima e biznesit është përmirësuar në mënyrë të ndjeshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›